Kampioni i Formula 1, Lewis Hamilton, ka dominuar në garën e Shpërblimit të Madh të Spanjës të dielën, për vitin e katërt rresht, duke vazhduar dominimin në këtë seri të garave.
Hamilton ka arritur për herë të 156-të të ngjitet në podium, që është rekord, dhe ka rritur epërsinë në krye të renditjes në 37 pikë.
Fitorja në Barcelonë ishte e 88-ta në karrierën e pilotit të Mercedesit dhe një nga më bindëset që e ka arritur. Ai gjithë garuesit, me përjashtim të dy, i la së paku nga një xhiro prapa.
Hamilton është vetëm tri fitore larg që të barazojë rekordin e legjendës Michael Schumacher, që gjatë karrierës i kishte arritur 91 fitore. Po ashtu është fitorja e katërt e shënuar këtë edicion, në gjashtë gara sa janë zhvilluar.
Max Verstappen i Red Bullit përfundoi i dyti në garën në Spanjë, 24.177 sekonda prapa Hamiltonit. Valtteri Bottas i Mercedesit, zuri vendin e tretë, ai përfundoi 44.752 sekonda prapa fituesit.
“Isha në një zonë tjetër, as që e dija se ishte rrethi i fundit i garës. Isha i gatshëm të vazhdoja garën”, ka thënë Hamilton.
Hamilton kryeson renditjen me 132 pikë, Verstappen është i dyti me 95, ndërsa Bottas i treti me 89 pçikë.
Kanadezi i Racing Point, Lance Stroll, zuri vendin e katërt në garën e të dielës. Në të vërtetë Sergio Perez i Racing Point, hyri i katërti në finish, por u dënua me pesë sekonda pasi kishte injoruar flamurin e kaltër dhe kështu u degradua në vend të pestë.
Gara e ardhshme e Formula 1 është ajo e Shpërblimit të Madh të Belgjikës që mbahet më 30 gusht.