Sebastian Haller ka siguruar fitoren vendimtare të Borussia Dortmundit.
Të dielën, Dortmundi fitoi 3:0 në udhëtim ndaj Augsburgut dhe i është afruar titullit të kampionit të Gjermanisë. Ndeshja i takoi xhiros së 33-të, të parafundit të Bundesligës gjermane. Haller, që luftoi kancerin vitin e kaluar, shënoi gol të bukur për 1:0 në minutën e 58-të.
Për 2:0 shënoi në minutën e 84-t. Në minutën e 94-t, Julian Brandt shënoi golin për 3:0. Augsburgu prej minutës së 38-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Me karton të kuq u përjashtua Felix Uduokhai. Me fitore, Dortmundi del në vendin e parë me 70 pikë. Bayerni, që të shtunën pësoi 3:1 nga RB Leipzigu, bie në vendin e dytë me 68 pikë. Bayerni ka fituar dhjetë titujt e kaluar të Gjermanisë, por tani Dortmundi udhëheq garën.
Të shtunën e ardhshme, në xhiron e fundit, Dortmundi e pret Mainzin. Ndërkohë Bayerni luan në udhëtim ndaj Koelnit.
Për Mainzin e Koelnin pikët nuk kanë ndonjë vlerë. Augsburgu ende nuk ka siguruar mbetjen në Bundesligë. I ka 34 pikë në pozitën e 14-të. Elvis Rexhbeçaj startoi tek Augsburgu dhe luajti deri në minutën e 62-të. Në minutën e 61-të në lojë hyri Mërgim Berisha.