Sport

Hajrizi: Të motivuar për fitore në Luksemburg

Foto: FBK

Fitorja ndaj Islandës të enjten mbrëma në Prishtinë, ka motivuar basketbollistët e Kosovës për ndeshjen me Luksemburgun. Kështu ka thënë të premten Drilon Hajrizi, që ishte më i dalluari te Kosova në fitoren e vështirë ndaj Islandës.

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll të dielën nga ora 18:00 luan në udhëtim ndaj Luksemburgut, në kuadër të grupit B të raundit të parë të parakualifikimeve për Botërorin e vitit 2023. Delegacioni kosovar të premten ka udhëtuar për në Luksemburg.

“Fitorja ndaj Islandës është një motiv shtesë para sfidës së ardhshme. Na shërben shumë. Do të jemi më të motivuar dhe përfundimisht ka vlerë të madhe”, ka thënë Hajrizi për Koha.net.

Ai ndeshjen ndaj Islandës e përfundoi me 16 pikë, tetë kërcime e gjashtë asistime. Ishte më i miri i ndeshjes. Shënoi disa pikë vendimtare kur po vendosej sfida.

“E njohim Luksemburgun. I dimë pikat e forta dhe të dobëta të tij. Do të mundohemi që me angazhim maksimal si me Islandën, të arrijmë te fitorja. Do të mundohemi po ashtu të zbatojmë në përpikëri këshillat e trajnerit”, ka shtuar basketbollisti mitrovicas.

Kosova është përballur me Luksemburgun edhe në raundin e tretë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2023. Në Luksemburg fituan vendasit me rezultatin 88:80, ndërsa në Prishtinë fitoi Kosova me rezultat bindës, 109:88.

“Është shumë e rëndësishme kjo ndeshje. Shkojmë për fitore që do të na shërbente shumë për të ardhmen. Shpresojmë t’i përmbushim pritshmëritë”, ka thënë Hajrizi, përcjell Koha.net.

Te Kosova janë bërë disa ndryshime në formacion për ndeshjen ndaj Luksemburgut.