Sport

Gvozdenoviq, serbi që s’do t’i thoshte jo drejtimit të klubeve të Kosovës

Postulati olimpik se sporti miqëson njerëzit dhe bashkon popujt, në historinë botërore ka treguar se nuk është thjesht një dogmë propagandistike.

Kanë qenë të shumta rastet kur motivet armiqësore politike janë zbutur, sheshuar apo hedhur mënjanë falë sportit.

Kështu është shndërruar gjithçka brenda 7 viteve, mendësia e një serbi që jeton këtu, stërvitet, punon, tashmë madje edhe shkolluar, për të qenë një trajner.

Ivan Gvozdenoviq, ka mbërritur në vitin 2010 në Shqipëri, mes ankthit se çfarë e priste dhe dëshirës për të qenë një futbollit, profesionist.

"Kam dëshirë që të flas në shqip, prapë nuk jam shumë mirë, por kam qejf ta provoj. 4 herë kisha refuzuar ofertat nga Tirana sepse nuk e dija çfarë ishte Shqipëria, do kisha probleme apo jo?! Familja kishe pak problem, mendohu mirë më thoshin, pse shkon andej, më mirë lëre fare futbollin. Unë e dua futbollin dhe isha gati të provoj, përse jo? Sepse nuk kisha frikë, ti e di mirë se çfarë është politika, çfarë është futbolli, çfarë është sporti", nis rrëfimin e tij, Gvozdenoviq.

Në vitin 2010, pas një karriere shumë të suksesshme te Cervena Zvezda, ku ishte edhe kapiten, te Klub Bryzh, Dinamo Bukureshtit, Metz, Vojvodina e disa klube të tjera, Gvozdenoviq, në moshën 32-vjeçare firmos për bardheblutë, ku gjen një grup lojtarësh që vinin nga shtete të ish-Jugosllavisë.

“Kur firmosa me Tiranën ishte një lojtar nga Kroacia, Pero Pejiq, një lojtar nga Bosnja, Mladen Zhizhoviq edhe unë nga Serbia. Ata kishin shumë respekt për futbollin jugosllav dhe unë isha me fat, pasi kisha qenë me Cervena Zvezda. Ju e dini më mirë, Shqipëria në kohën e Enver Hoxhës, donte italisht, donte ish-jugosllavinë. Ju e dini që Jugosllavia ka shkollë futbolli shumë të mirë, ka edhe basketboll sigurisht, kjo ishte një plus për mua”, thotë Gvozdenoviq për TCH. 

Shoku tij më i mirë në Shqipëri, është kroati, Pero Pejiq.

“Për Zotin unë kam shumë miq nga Shqipëria dhe Kosova, por kam qenë me Pero Pejiq më shumë kohë. Ai është kroat, por për mua nuk ka asnjë problem, jemi të gjithë njësoj. Ne kemi qenë bashkë edhe me Tiranën, edhe me Kukësin, edhe me Korçën”, thotë ai.

Një nga momentet më të vështira për Ivan Gvozdenoviq në Shqipëri, ka qenë 14 tetori i vitit 2014, kur shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë, për atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

“Unë isha në Maqedoni me ekipin e Kukësit, për fazë përgatitore. Ishim bashkë në një hotel, duke parë ndeshjen. Ishin dy lojtarë nga Kosova me ne, domethënë nga Shqipëria. Për mua ishte shumë turp ajo që ndodhi. Për mua ishte një zhgënjim, nuk u ndjeva mirë, u ndjeva i turpëruar. (E thotë anglisht) Sepse unë jam këtu 6-7 vite dhe nuk kam pasur kurrë problem, kam shumë shokë”, tregon Gvozdenoviq.

Prej mëse dy vitesh Gvozdenoviq është në rolin e zëvendës trajnerit te skuadra e Tiranës, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka përfunduar edhe të gjitha kurset për licencën e trajnerit në Shqipëri.

“Po, unë kam licencën, por akoma nuk jam trajner. Tani është puna më e vështirë. Patjetër unë jam gati, por licenca nuk ka garanci nëse unë jam trajner i mirë apo jo. Vetëm rezultati e tregon, ti e di”, shprehet ai.

A do të pranoje të drejtoje në Kosovë?

“Ta mendoj, pse jo?! (qesh)... Ti e di, në futboll nuk ke shans të thuash jo. Ne jemi këtu komshinj, jemi miq dhe kjo është futboll, nuk është politikë. Nëse do të kisha oferta do ta mendoj mirë, por nuk jam për Jo”, thotë serbi Gvozdenoviq.