Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Guler, “Messi turk” që iu bashkua Real Madridit

Më parë kemi dëgjuar për “Messin iranian”, “Messin gjerman”, “Messin skocez” dhe shumë Messi të tjerë. Tani mund ta përshëndesim futbollistin që vlerësohet si “Messi turk” – Arda Guler.

Krahasimi me legjendën argjentinase Lionel Messi është e drejtë e secilit futbollist të ri të sulmit, sidomos për ata që kanë aftësi të shkëlqyera driblimi, të cilat i posedon 18-vjeçari nga Altindag.

Deri më tani askush nuk e ka përballuar presionin e krahasimit me Messin, sigurisht as të lartpërmendurit Sardar Azmoun, Marko Marin dhe Ryan Gauld. Sipas të gjitha gjasave, askush nuk do t’ia arrijë një gjëje të tillë.

Megjithatë, ka shpresë që Guler mund të bëhet një nga yjet e ardhshme dhe ta vazhdojë rrugën drejt suksesit. Rrugën që e ka dërguar në ligën ku njeriu me të cilin e krahasojnë në mënyrë spektakolare e ka zhvilluar karrierën e tij.

Për Gulerin ishte folur shumë për një kalim te ndonjë prej klubeve më të mëdha në Evropë, thuajse prej momentit kur doli në ekipin e parë të Fenerbahçes, për shkak të talentit të jashtëzakonshëm. Ish-skuadra e Messit, Barcelona, kishte shprehur interesim. Madje presidenti Joan Laporta kishte dërguar drejtorin sportiv, Deco, për ta negociuar marrëveshjen.

Por u bë një lëvizje që skuadrës nga Katalonja nuk do t’i pëlqejë aspak pasi ai në fakt vendosi t’i bashkohej rivalit, Real Madridi, që vazhdon ta rrisë listën e talenteve më premtuese në Bernabeu.

Ajo që me të vërtetë e rriti apetitin e kërkuesve – ku ishin të përfshirë Bayern Munichu, Borussia Dortmundi, Paris Saint-Germaini dhe treshja e Premier Leagues, Arsenali, Manchester Unitedi dhe Newcastle - ishte ekzistenca e klauzolës së lirimit prej vetëm 17.5 milionë eurove, e aktivizuar nga Guleri pasi zhvilloi 1500 minuta me ekipin e parë.

Në kohën kur lojtarët si Kai Havertz dhe Mason Mount janë larguar për rreth 70 milionë euro, klauzola e lojtarit që vlerësohet shumë është lehtë e përballueshme.

Është një lojtar të cilit iu besua debutimi si senior në moshën 16-vjeçare. Ai hyri si zëvendësues në minutën e 66-të në fitoren e Fenerbahçes ndaj Helsinkit 1:0, në ndeshjen e parë kualifikuese të Ligës së Evropës, më 19 gusht 2021.

Është talenti i cili asistoi në debutimin në Superligë dhe u bë golashënuesi më i ri i klubit kur realizoi në fitoren 5:2 në Alanyaspor më 13 mars 2022, vetëm 16 ditë nga ditëlindja e tij e 17-të.

Në total Guler ka shënuar shtatë gola dhe ka shtatë asistime në vetëm 1187 minuta në Superligën turke – me mesatare të golit çdo 85 minuta.

Fakti që i është dhënë numri 10 te Fenerbahçe në edicionin e kaluar është shenjë për rritjen e tij të shpejtë.

Këtë fanellë më parë e kishin veshur Tuncay Sanli, Robin van Persie dhe Mesut Oezil, por më i rëndësishmi është Alex – legjenda e klubit nga Stambolli që shënoi 171 gola dhe regjistroi 136 asistime në 344 ndeshje prej vitit 2004 deri në vitin 2012 dhe e ka statujën në nder të tij në “Kadikoy Yogurtcu Park”.

Nëse Guler duhet të krahasohet me dikën, ish-kapiteni i Brazilit ndoshta është më i përafërti. Është lojtari që tinejxheri turk e ka idhull.

Njësoj si heroi i tij, Guler ka kontroll të topit dhe aftësinë e driblimit. Për shembull, ngritja e qëllimshme e topit mbi kokën e tij nën presion, vrapimi dhe kalimi i tre lojtarëve para se të shkaktohej penallti në të kundër Beshiktashit në prill. Është një prej disa momenteve mbresëlënëse që përfshijnë përmbledhjet e pashmangshme në YouToube, të cilat ishin të dedikuara për talentin turk.

Ai e posedon edhe aftësinë e çmuar për ta zgjedhur dhe bërë pasimin e duhur. Shihni asistimin në fitoren 2:0 kundër Antalyasporit, kur shmanget nga dy futbollistë para se me të jashtmen të pasojë për Enner Valencian, ani pse përballë kishte dy mbrojtës. Shumica e lojtarëve nuk e bëjnë këtë, veçanërisht jo në moshën 18-vjeçare.

Aftësitë e tij për ta ndërruar drejtimin dhe për ta bërë kthesën e menjëhershme janë elektrike. Ai po ashtu operon në disa role të sulmit, edhe pse më i favorshmi për të është kur nga krahu i djathtë kalon në të majtë dhe është kërcënues nga goditjet e dënimi.

Shto këtu edhe dëshirën për presion dhe, pavarësisht moshës së tij, ballafaqimin me më të mëdhenjtë.

Për fund, ai nuk frikësohet të improvizojë apo të provojë guximin, siç bëri me parabolën nga 18 metra kur qëlloi transversalen e nga topi i kthyer shënoi Valencia në fitoren 5:1 ndaj Kasimpashas në janar.

Me përfaqësuesen e Turqisë debutoi në fitoren kundër Republikës së Çekisë në miqësoren e 19 nëntorit 2022. Shënoi golin e tij të parë në qershor, në paraqitjen e katërt.

Goli ishte shfaqje se sa shkatërrues mund të jetë ai për një periudhë të shkurtër kohore dhe në hapësirën nga e djathta. Mbrojtja e Uellsit i dha atij të gjithë atë që dëshiron, ndërsa realizoi nga 18 metra në qoshen e portës.

Është e qartë se pse skuadra e Barcelonës dëshironte ta ketë futbollistin e ri, Guler, që për kohë të gjatë do të mund të sillte kualitetet dhe mbulim të zbrazëtirës që nga largimi i argjentinasit.

Pyetja gjithmonë do të jetë nëse Guler e ka parë këtë verë dhe sezonin tjetër si kohën e duhur për t’i hapur krahët për ta testuar veten në nivel të lartë.

Paraardhësi i tij te Fenerbahçe, Oezil – i cili kaloi te Reali si 21-vjeçar – kishte folur vetë për këtë çështje. Është raportuar se u ka thënë ish-bashkëlojtarëve se Guler do të duhej të qëndronte në Turqi edhe për një sezon për t’u zhvilluar më shumë. Dhe sigurisht se kjo duhet të merret parasysh.

Guler është i ri, ndërsa mbrojtësit e La Ligas, Bundesligas dhe Premier Leagues do të jenë të pakompromis.

Në Real ai mund ta gjejë një rreth të ngrohtë me një grup që vlerësohen shumë dhe klubi shpreson që të jenë “Galaktikët” e rinj.

Me sulmuesit e rinj të talentuar, Vinicius Jr dhe Rodrygo tashmë në skuadër, 14-të herë Kampioni Evropian kishte fokusin në ripërtëritjen e mesfushës.

Organizatori i ri mund të jetë në garë me Aurelien Tchouamenin, Eduardo Camavingan apo Jude Bellinghamin. Pritjet prej turkut të ri janë të mëdha.

Artikuj të ngjashëm