Presidenti i Guinesë, koloneli Mamady Doumbouya, ka paralajmëruar futbollistët e Përfaqësueses së Guinesë se duhet patjetër të triumfojnë në Kupën e Afrikës ose të kthejnë paratë që shteti ua ka dhënë për t'i ndihmuar ata që të përgatiten për turneun.
Guinea, kapiten i së cilës është mesfushori i Liverpoolit, Naby Keita, është pjesë e Grupit B të Kupës së Afrikës së bashku me Malavin, Senegalin e Zimbabven.
Kupa e Afrikës do të mbahet në Kamerun dhe nis më 9 janar. Përfundimi më i mirë ndonjëherë i Guinesë në Kupën e Kombeve të Afrikës ndodhi në vitin 1976, kur doli nënkampione, pasi humbi në finale ndaj Marokut.
Oficeri ushtarak Doumbouya - i cili udhëhoqi një grusht shteti nga forcat e armatosura të vendit kundër Alpha Condes dhe qeverisë së tij më 5 shtator - ka vendosur ultimatum brutal për futbollistët e përzgjedhësit Kaba Diaëara.
“Silleni trofeun e Kupës së Afrikës ose ktheni paratë që i kemi investuar në ju”, ka thënë presidenti i përkohshëm i Guinesë, Doumbouya.
Megjithatë, Guinea do ta ketë të vështirë triumfin në këtë turne. Nuk është në mesin e favoriteve dhe gjasat për sukses i ka shumë të vogla. Ndeshjen e parë në Kupën e Afrikës, Guinea e luan kundër Malavit më 10 janar në “Bafoussam Omnisport Stadium”.