Është një imazh që ka ardhur për të përcaktuar Pep Guardiolan në netët e tij më të mëdha në Ligën e Kampionëve me Manchester Cityn. Trajneri spanjoll në duelet e Championsit këtë edicion ka shfaqur emocione të papërmbajtshme duke u përkulur në gjunjë dhe duke mbuluar fytyrën me duar nga ankthi në raste të caktuara. Guardiola po e bënte sërish të njëjtën gjë të mërkurën mbrëma, pasi dëshmoi kolapsin e fundit të ekipit të tij në një garë për të cilën u soll në krye të Cityt për ta fituar gjatë vjet më parë. Dhe ai ende nuk e ka bërë një gjë të tillë. Në fund të fundit, City ishte në avantazh kundër Real Madridit në serinë gjysmëfinale nga minuta e dytë e ndeshjes së parë deri në minutën e 90-të të ndeshjes së dytë. Pastaj ndodhi një kaos absolut.
A është Guardiola fajtori që lojtarët e Cityt ngrinë brenda në stadiumin “Santiago Bernabeu”, duke pranuar dy gola në fund të ndeshjes përpara se të eliminoheshin pas vazhdimeve? Apo ishte thjesht për të të ardhur keq që City ishte në anën e gabuar të një nate tjetër të çmendur të Ligës së Kampionëve?
Krahas eliminimit nga Real Madridi në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 6:5, City u pati eliminuar edhe në 1/8 e finales nga Monaco në sezonin e parë të Guardiolas si trajner. Pastaj erdhën eliminimet në çerekfinale nga Liverpooli, Tottenhami dhe Lyoni nga viti 2018 deri në vitin 2020, përpara se vitin e shkuar Guardiola të mposhtej nga Chelsea 1:0 në finale. Është një kombinim i fatit të keq, përfundimit të keq dhe përzgjedhjes së keqe të ekipeve, dhe duhet të jetë duke i bërë tifozët e Cityt të mendojnë se klubi i tyre është thjesht i destinuar të mos e fitojë trofeun më të madh të Evropës nën drejtimin e njeriut që shumë besojnë se është më i miri në botë, pavarësisht shpenzimeve të mëdha.
“Është e vështirë për ne, ne nuk mund ta mohojmë këtë”, tha Guardiola, i cili foli me qetësi pas ndeshjes në Madrid.
Megjithatë, kritikët e tij do të theksojnë se Guardiola nuk e ka fituar Ligën e Kampionëve pa Lionel Messin. Pritja e Guardiolës për trofeun më të madh në nivel klubesh shtrihet në 11 vjet, që nga triumfi i tij i dytë me Barcelonën e frymëzuar nga Messi (2009 dhe 2011). Dhe, të njëjtët kritikë ka të ngjarë të vënë në dukje vendimmarrjen e tij gjatë pjesës së dytë kundër Real Madridit, duke argumentuar se i kushtoi shtrenjtë Cityt, ashtu siç bëri me ato përzgjedhjet e ekipeve kurioze kundër Liverpoolit në vitin 2018, Lyonit në vitin 2020 dhe Chelseat vitin e kaluar.
Edhe
Guardiola: Të gjithë duan të më shkarkojnë
A ishte largimi i Kevin de Bruyne në minutën e 72-të, Gabriel Jesus (78-të) dhe Riyad Mahrez (85-të) shumë negativ, duke i lejuar Real Madridit të shfrytëzonte momentin në ato minutat e fundit të ndeshjes të kohës së rregullt? Disa mund të thonë se ishin vendime të arsyeshme dhe se lojtarët që ai i inkuadroi në lojë - Ilkay Guendogan, Jack Grealish dhe Fernandinho - kishin përvojën, karakterin dhe cilësitë teknike për të ndihmuar Cityn të ruante kontrollin. Guendogan, për shembull, ndihmoi në krijimin e golit të Mahrezit në minutën e 73-të, i cili rivendosi avantazhin e Cityt me dy gola. Grealish mund të kishte shënuar dy herë, por goli iu mohua nga Ferland Mendy në rastin e parë që e largoi topin nga vija fatale dhe pritja e portierit Thibaut Courtois në të dytin.
“Ne nuk luajtëm lojën më të mirë. Por është normale, në një gjysmëfinale që lojtarët ndiejnë presion. Futbolli është i paparashikueshëm dhe ne duhet ta pranojmë këtë”, pranoi Guardiola.
Ndoshta me këtë rast gishti nuk duhet drejtuar kah Guardiola, por te lojtarët e tij. Ose ndoshta Real Madridi bëri një rikthim sensacional që do të mbahet në mend për një kohë të gjatë. Reali ka emër në Champions dhe në finalen e 28 majit në Paris do ta kërkojë trofeun e 14-të kundër Liverpoolit.
Në planin afatgjatë Guardiola mund të ketë vetëm një mundësi më shumë për të fituar Ligën e Kampionëve me Cityn, duke qenë se kontrata e tij do të skadojë në fund të sezonit të ardhshëm. Ai mund të ketë në ekip edhe sulmuesin Erling Haaland, i cili thuhet së në verë do t’i bashkohet Cityt nga Borussia Dortmundi. Me Haalandin në ekip, Guardiola do të ketë edhe rast të artë për ta siguruar trofeun që po rezulton i pakapshëm. Sigurisht që City ka nevojë për një sulmues të klasit të lartë sezonin e ardhshëm, pasi vendosi të shpenzojë shumë para për një mesfushor para fillimit të këtij sezoni. E transferoi Grealishin në vend të një qendërsulmuesi për të zëvendësuar Sergio Agueron.
Edhe
1000 ndeshje në karrierë, Guardiola ka energji për epokë të re
Në afat të shkurtër, Guardiola duhet t'i bëjë lojtarët e tij gati mendërisht për të larguar dhimbjen e tyre evropiane dhe për të përfunduar punën në garën për titullin e kampionit në Premier League. City është një pikë përpara Liverpoolit me katër ndeshje të mbetura deri në fund, e para prej të cilave është në shtëpi kundër Newcastle Unitedit të dielën. Pastaj City do të përballet me Wolverhamptonin, West Hamin dhe Aston Villan. Katër fitore dhe City është sërish kampion i Anglisë, për herë të gjashtë në 11 vjet dhe herën e katërt në gjashtë vjet nën drejtimin e Guardiolas. City u rikuperua nga dhimbja e eliminimit në Ligën e Kampionëve nga Tottenhami në vitin 2019 për të fituar pesë ndeshjet e fundit të ligës atë sezon.
Për Guardiolan, zakonisht nuk është problem të triumfojë në kampionatin anglez, por kështu nuk mund të thuhet edhe për Ligën e Kampionëve.