Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Guardiola dëshiron që Messi ta mbyllë karrierën te Barcelona

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka insistuar se ka dëshirë që ylli argjentinas Lionel Messi ta mbyllë karrierën te skuadra e Barcelonës, përcjell BBC të premten. Guardiola të enjten rinovoi kontratën edhe për dy vjet me Cityn dhe menjëherë nisën spekulimet se vitin e ardhshëm do ta transferojë Messin, i cili ishte afër kalimit te ekipi anglez para fillimit të këtij edicioni. Messi ka kontratë me Barcelonën deri në fund të këtij edicioni dhe mund të firmosë parakontratë me çdo ekip tjetër jashtë Spanjës prej datës 1 janar. Ende nuk ka ndonjë sinjal se Messi është në bisedime me Barcelonën për të vazhduar kontratën që i skadon në qershor të vitit tjetër.

“Messi është futbollist i Barcelonës dhe këtë e kam thënë me mijëra herë. Si tifoz, unë dua që Messi ta mbyllë karrierën te Barcelona”, ka thënë Guardiola në konferencën për shtyp që e ka mbajtur të premten, në prag të ndeshjes kampionale ndërmjet Cityt dhe Tottenhamit.

Në fakt Messi ishte shumë afër kalimit te City në verë pasi kërkoi largimin nga ekipi spanjoll. Por në fund, presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartmoeu, që u largua nga ky post javë më parë bllokoi gjithçka dhe mbajti argjentinasin. Edhe pse është larguar Bartomeu, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit, e ardhmja e Messit te Barcelona mbetet ende në dyshim. Këtë e ka pranuar edhe Guardiola.

“Messi ka kontratë me Barcelonën deri në fund të këtij edicioni dhe nuk e di se çfarë ka në mendje pastaj”, ka insistuar Guardiola.

Krahas Cityt interesim për transferimin e Messit ka shprehur edhe skuadra e Paris Saint-Germainit. Megjithatë secili kandidat për postin e presidentit të Barcelonës ka garantuar se nëse merr votat në zgjedhje atëherë Messi do të mbetet në “Camp Nou”. Të gjithë kanë insistuar se qëndrimin e Messit te Barcelona e kanë prioritet.

“Unë vetëm mund ta falënderoj Barcelonën për atë që ka bërë për mua”, ka thënë Guardiola, i cili punoi me Messin për katër vjet (2008-2012) derisa ishte trajner i Barçës.

Edhe Guardiola edhe dy vjet në krye të Cityt Sport Guardiola edhe dy vjet në krye të Cityt

“Në akademi, si lojtar dhe trajner, drejtuesit më dhanë absolutisht gjithçka. Tani për tani Messi është një lojtar i Barcelonës dhe afati kalimtar është në qershor dhe korrik. Ne kemi ndeshje dhe synime të mëdha që duam t’i realizojmë dhe kjo është gjëja e vetme në mendjen time. Sa i përket pjesës tjetër, nuk mund të them asgjë më shumë”.

Me kontratën që ka firmosur, Guardiola do të jetë në krye të Cityt deri në vitin 2023 duke e kompletuar edicionin e shtatë, më shumë sesa që ka kaluar te Barcelona dhe Bayern Muencheni së bashku. Me gjithë interesimin nga klubet e tjera, Guardiola, 49-vjeçar, ka thënë se nëse nuk do të vazhdonte bashkëpunimin me Cityn, atëherë do të largohej tërësisht nga futbolli për një periudhë të caktuar, ashtu siç bëri në vitin 2012 kur u largua nga Barcelona.

“Nuk e kam mendjen diku tjetër pasi dua të qëndroj te City. Vendimi nuk ishte vetëm i im,i por edhe i klubit. Do të isha larguar për të pushuar nëse do të kisha menduar se kam qëndruar mjaftueshëm këtu. Por kam ndjenjën se kemi ende shumë gjëra për t’i arritur së bashku. Dua të vazhdojmë me atë që e kemi bërë në edicionet e fundit”, tha Guardiola, i cili ka fituar tetë trofe me Cityn, në mesin e tyre edhe dy tituj kampioni të Anglisë.