Sport

Grupi H: Portugalia është shumë më tepër se Ronaldo

Për dy dekadat e fundit apo më shumë, Portugalia mbërriti në çdo turne madhor me të gjithë sytë e drejtuar te Cristiano Ronaldo. Shpresat e portugezëve për të ecur mirë në Kupat e Botës dhe Kampionatet Evropiane vareshin kryesisht nga fakti nëse Ronaldo mund ta çonte me sukses ekipin drejt fitores. Ai do të jetë ende ylli më i madh i Portugalisë në Katar, por këtë herë do të ketë shumë më tepër për Portugalinë sesa Ronaldo.

Sulmuesi 37-vjeçar ka shfaqur shenja zhgënjimi për herë të parë në karrierën e tij dhe do të hyjë në atë që mund të jetë Botërori i fundit, pa statusin e titullarit të padiskutueshëm. Ronaldo ka luajtur më pak minuta te Manchester Unitedi. Madje edhe me Portugalinë së fundmi është ulur në stol, diçka e paimagjinueshme jo shumë kohë më parë.

“Ishte një vendim taktik dhe teknik,” tha trajneri i Portugalisë, Fernando Santos, kur la në stol golashënuesin më të mirë të gjitha kohërave në futbollin ndërkombëtar, në një ndeshje të Ligës së Kombeve kundër Spanjës në qershor.

Tani Santos ka një numër më të madh lojtarësh që mund të ndajnë qendër të vëmendjes me Ronaldon. Portugalia ka një brez shumë të mirë lojtarësh që përfshijnë Bernardo Silvan, Bruno Fernandesin dhe Joao Felixin.

Debutimi i Felixit

Disa nga lojtarët portugezë që do të jenë në qendër të vëmendjes me Ronaldon, kanë lulëzuar në Premier League kohët e fundit. Silva është titullar i rregullt në një ekip yjesh të Manchester Cityt, ku përfshihen edhe mbrojtësit e Portugalisë, Joao Cancelo dhe Ruben Dias.

Bruno Fernandes ka ecur mirë si bashkëlojtar i Ronaldos në United, derisa Diogo Jota i Liverpoolit do të humbasë Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi.

Ndërsa Ronaldo mund të bëjë lamtumirën e tij në Kupën e Botës, Joao Felixi do të bëjë debutimin. Jo shumë kohë më parë Felixi u vlerësua në Portugali si Ronaldo i ardhshëm. Iu bënë krahasime të shumta me yllin pas një ngritjeje të shpejtë në skuadrat e të rinjve në Benfica.

Felix, i cili do të jetë 23 vjeç në Kupën e Botës, mbetet një nga shpresat kryesore të Portugalisë për të ardhmen. Por zhurma rreth tij është zbehur pak që kur nënshkroi me Atletico Madridin dhe luftoi për të përmbushur menjëherë pritjet. Ai kishte një fillim të mirë këtë sezon dhe dukej se më në fund po rregullohej me klubin, por përsëri humbi gradualisht kohën në fushë. Felxi nuk ka qenë titullar i rregullt me Portugalinë kohët e fundit, duke luajtur më pak minuta nën drejtimin e Santosit.

Veterani Pepe dhe ngecjet e fundit

Një tjetër lojtar veteran portugez që mund të jetë i pranishëm në Kupën e fundit Botërore është Pepe, i cili është dy vjet më i madh se Ronaldo dhe është përzgjedhur ta drejtojë mbrojtjen në turne për herë të katërt radhazi. I njohur për lidershipin dhe ashpërsinë e tij, Pepe ka qenë titullar i padiskutueshëm për Portugalinë në qendër të mbrojtjes. Ai do të hyjë në turne pas 130 paraqitjeve me Portugalinë. Pepe gjithashtu luajti në katër kampionate evropiane, përfshirë edhe atë kur Portugalia fitoi titullin në vitin 2016.

Mbrojtësi veteran mund të mos jetë në formën më të mirë për turneun në Katar, pasi pësoi një dëmtim në gju që tashmë e ka tejkaluar.

Pasi më në fund shpërtheu me një titull madhor në Euro 2016, Portugalia shtoi edhe titullin e edicionit inaugurues të Ligës së Kombeve në vitin 2019. Por nuk e kaloi 1/8 e finales në Kupën e Botës 2018 dhe në Euro 2020. Kishte shqetësime për paraqitjet zhgënjyese të skuadrës në ndeshjet e fundit të rëndësishme, përfshirë kur Portugalia dështoi në shtëpi kundër Serbisë në ndeshjen për kualifikim automatik në Kupën e Botës dhe kundër Spanjës në raundin e fundit në Ligën e Kombeve të këtij viti. Pengesat kanë bërë që shumë njerëz të dyshojnë në Santosin dhe të spekulojnë nëse ky brez mund të kishte bërë më mirë me dikë tjetër në krye.

“Unë nuk jam i shqetësuar”, tha Santos kur u pyet për ata që dyshonin në të. “Kam kontratë deri në vitin 2024”.