Tetë vjet pasi e çoi Holandën në gjysmëfinale në Botërorin e mbajtur në Brazil, Louis van Gaal është kthyer për një tjetër përpjekje për ta fituar titullin e parë të botës për shtetin e tij. Aftësia taktike dhe lidershipi i Van Gaalit do të jenë thelbësore për një ekip që nuk arriti në çerekfinale në Kampionatin Evropian të vitit të kaluar me Frank de Boerin.
Holanda, tri herë nënkampione e botës, është në Grupin A me Katarin, Ekuadorin dhe Senegalin. Skuadra është e pamposhtur në 15 ndeshje që kur 71-vjeçari Van Gaal mori drejtimin për herë të tretë, pasi De Boer u largua. Me trajnerin veteran, Holanda ka mundur dy herë Belgjikën në rrugën e saj drejt “Final Four” të Ligës së Kombeve. Suksesi i Van Gaalit në nxjerrjen e skuadrës holandeze nga problemet vjen pavarësisht se ai zbuloi në prill se po trajtohej për një formë agresive të kancerit të prostatës. Trajneri 71-vjeçar sjell përvojë të madhe pasi ka udhëhequr një ekip të ri të Ajaxit drejt fitores në Ligën e Kampionëve në vitin 1995 dhe ka drejtuar klube të mëdha duke përfshirë Barcelonën, Bayern Muenchenin e Manchester Unitedin.
Momenti përcaktues i karrierës së trajnerit Van Gaal ishte thirrja e tij për të inkuadruar portierin rezervë Tim Krul në minutën e fundit të kohës shtesë në çerekfinalen e Kupës së Botës të vitit 2014 kundër Kosta Rikës me rezultatin që ishte 0:0. Krul priti dy penallti në një fitore 4:3 nga gjuajtjet e penalltive, që dërgoi Holandën në gjysmëfinale. Skuadra holandeze më pas humbi nga Argjentina me penallti në ndeshjen tjetër, me Jasper Cillessenin në portë.
Van Gaal ka kritikuar hapur mbajtjen e Botërorit në Katar, duke e quajtur një vendim “qesharak” të FIFA-s të motivuar nga interesa komerciale.
Paqartësia rreth portierit
Pavarësisht heroizmave të tij të vitit 2014, Krul nuk pritet të përfshihet në listën e Van Gaalit. 33-vjeçari Cillessen, i cili tani luan për klubin holandez NEC Nijmegen pas periudhave me Ajaxin, Barcelonën dhe Valencian, ka gjasa të mëdha të ftohet për këtë ngjarje.
Ndërsa Van Gaal duket se e ka “skeletin” e përbërjes fillestare, mbetet e paqartë se kush do të jetë portieri i parë. Opsionet e tjera përfshijnë gardianin 38-vjeçar të Ajaxit, Remko Pasveer, Justin Bijlow të Feyenoordit dhe Mark Flekken të skuadrës së Freiburgut.
Formacioni
Debati shpërthen mes tifozëve holandezë në çdo turne madhor nëse Holanda do të luajë apo jo formacionin e preferuar prej katër mbrojtësve, tre mesfushorëve dhe tre sulmuesve. Braktisja e këtij sistemi ishte pjesë e arsyes që De Boer dështoi tërësisht në “Euro 2020”. Mirëpo, holandezët nuk duhet të presin që Van Gaal të kthehet menjëherë në sistemin që është mësuar nga futbollistët holandezë nga gjeneratat e reja e deri te skuadra e parë e Ajaxit. Van Gaal ka provuar këtë vit një sistem me tre mbrojtës, katër mesfushorë, dy sulmues dhe një lojtar që “lundron” menjëherë pas sulmuesve. Ai insiston se kjo do të thotë “që një kundërshtar gjithmonë duhet të përshtatet” në lojën e tij.
Van Gaal do të vazhdojë të hamendësojë skuadrat kundërshtare në Katar dhe është gjithmonë i përgatitur të ndryshojë mënyrën se si skuadra e tij vendoset – edhe gjatë ndeshjeve. Çfarë sistemi përdor në çdo ditë të caktuar “varet nga cilësitë e kundërshtarit”, tha ai për transmetuesin holandez NOS.
Memphisi
Memphis Depay ishte një nga yjet e parë të Holandës që shpërtheu në Kupën e Botës në Brazil. Këto ditë ai është parë më shpesh në stolin e Barcelonës. Van Gaal në të kaluarën ka thënë se ai zgjedh vetëm lojtarët që luajnë rregullisht dhe kanë minutazhë në klubet e tyre. Megjithatë ai do të bëjë një përjashtim për Depayn, i cili është në rrugë për t'u bërë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave te Holanda. Goli i fundit i Depayt, kundër Uellsit në qershor, ishte i 42-ti me Holandën duke u barazuar në vendin e dytë me Klaas Jan Huntelaar. Robin van Persie është i vetëm në krye me 50 gola të shënuar për Holandën.
“Është gjithmonë e rëndësishme të luash dhe unë nuk kam luajtur shumë këtë edicion”, tha Depay.
Por sulmuesi gjithnjë me vetëbesim tha se nuk ka dyshim se do të jetë plotësisht gati për ndeshjen e parë të Holandës kundër Senegalit më 21 nëntor.
“Unë jap gjithçka në stërvitje për të treguar se meritoj të jem pjesë e Holandës dhe mund të jem shumë i rëndësishëm për vendin tim”, shtoi ai.