“Grand-Prixi” i Formula 1 në Arabinë Saudite do të organizohet siç është planifikuar, pavarësisht sulmit me raketë në një fabrikë të naftës afër pistës në Jeddah.
Provat e dyta u shtynë për 15 minuta pas sulmit, ndërsa të parët e ekipeve dhe ngasësit, u thirrën në një takim me presidentin e Formula 1, Stefano Domenicali.
Një numër i madh i ngasësve treguan haptazi shqetësimet e tyre për sigurinë në këtë ngjarje.
Të gjitha konferencat për shtyp pas provave u anuluan.
Rebelët Houti të Jemenit e morën përgjegjësinë për këtë sulm, ka shkruar të premten agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Kohën më të shpejtë në provat e dyta e pati Charles Leclerc i Ferrarit, me 0.14 sekonda më shpejtë se Max Verstappen i Red Bullit.