Uran Bislimi ka shënuar dy gola. Por golat e kosovarit nuk ishin të mjaftueshëm për Luganon, që u mposht 3:2 nga Stade-Lausanne-Ouchy.
Ndeshja e së dielës mbrëma i takoi xhiros së 19-të të Superligës së Zvicrës.
Mysafirët shënuan tre gola në pjesën e parë. Bislimi fillimisht shënoi në minutën e 61-të e më pas në minutën e 82-të për të afruar rezultatin në 3:2. Megjithatë Lugano nuk ia doli të barazoi rezultatin.
Mysafirët luajtën me një lojtar më pak në fushë prej minutës së 55-të.
Lavdrim Hajrullahu, Alban Ajdini e Valon Hamdiu startuan te Lausanne-Ouchy. Prej minutës së 63-të në vend të Ajdinit luajti Mërgim Qarri.
Kreshnik Hajrizi, Albian Hajdari, Uran Bislimi e Shkëlqim Vladi startuan te Lugano. Pra në fushë në këtë ndeshje ishin plot tetë futbollistë shqiptarë.
Ndërkohë derbi i madh mes Zuerichut dhe Baselit nuk dha fitues. Përfundoi 0:0.
Lindrit Kamberi e Bledian Krasniqi startuan te Zuerichu, ndërsa Benjamin Kololli e Leon Avdullahu startuan te Baseli. Për Kolollin ishte debutim në Superligë me Baselin. Kësaj skuadre i mungoi kapiteni Taulant Xhaka.
Zuerichu është i treti me 32 pikë. Lugano mban pozitën e pestë me 26 pikë. Baseli është i parafundit (11) me 19 pikë, ndërsa 14 pikë në pozitën e fundit i ka Lausanne Ouchy.