Nga triumfi në Ligën e Kampionëve më 2013, te rënia nga liga me Stoke Cityn sot, kjo është karriera e Xherdan Shaqirit, shkruan Goal në gjuhën spanjolle.
Ky është tregimi i yllit që lindi në Kosovë në mes të luftës, transmeton Koha.net.
“Shpresoj që Puma të mos prodhojë prezervativë”, kishte bërë shaka Xherdan Shqiri pas barazimit pa gola ndaj Francës në fazën e grupeve në Euro 2016. Atë ditë pesë lojtarë të Zvicrës ishin detyruar që ta ndërronin fanellën. Lojtari kishte tentuar që të de-dramatizonte këto skena duke i bërë të tjerët të qeshin.
Goal më tutje jep ngritjen dhe rënien e Xherdan Shaqirit.
“Vetëm 26 vjeç ai do të luajë Botërorin e tij të tretë. Statistikat janë impresionuese ashtu sikur teknika e tij. Në Botërorin e Afrikës së Jugut më 2010 ai u ftua direkt pa luajtur fare në kualifikuese. Në Botërorin në Brazil më 2014 ai ishte ylli kryesor i skuadrës. Atje, në tokën e amerikano latinëve ai i shënoi hat-trick Hondurasit për ta kualifikuar Zvicrën në mesin e 16 më të mirëve, për t’u eliminuar më pas nga Argjentina. Në atë kohë ai e fitoi prestigjin që ende e mban: shumë e konsiderojnë si lojtari më i mirë që ndonjëherë ka veshur fanellën e Zvicrës. Në fakt, për këtë arsye, ata nuk ia hoqën nofkën ‘Messi i Alpeve’”, shkruan Goal.
Më tutje Goal shkruan, “tani Shaqiri, është paradoksale sepse ai nuk është zviceran. Ai ishte lindur në Kosovë, dhe prindërit e tij e lindën në tokën shqiptare. Kur ai mbushi dy vjeç, familja e tij u largua nga Ballkani që ishte zonë lufte dhe u zhvendosën në Augst, me ç’rast edhe mori nënshtetësinë zvicerane”.
Megjithatë Shaqiri shpeshherë e ka thënë se ndihet shumë krenar të përfaqësojë Zvicrën, megjithatë nuk i ka harruar rrënjët dhe të kaluarën e tij, transmeton Koha.net. Në këpucët e tij ka vendosur tre flamuj, të Shqipërisë, Kosovës, dhe vendit që e ka adoptuar.
“Jeta e tij e shpejtë mund të kuptohet edhe nga karriera e tij: Në moshën 16 vjeçare ai debutoi te Baseli, dhe në moshën 18 vjeçare ai nënshkroi kontratë profesionale. Si 20 vjeçar, për shkak të performancave të tij shumë të mira konsiderohej lojtari më i mirë në Zvicër, më pas shkoi në Bayern Munich, dhe në sezonin e tij të parë fitoi Superkupën e Gjermanisë, Bundesligën, Kupën e Gjermanisë, dhe Ligën e Kampionëve. Në janarin e vitit 2015, ai veshi fanellën e Interit për të luajtur në një nga ligat më të rëndësishme të Evropës, dhe në korrikun e vitit të njëjtë ai u transferua në Premier Ligë për të mbrojtur ngjyrat e Stoke Cityt. Këtë të shtunë ai kompletoi një nga tragjeditë më të mëdha sportive: goli i tij i dështimit nuk ndihmoi asgjë dhe ekipi i tij ra nga Premier Liga pas humbjes nga Crystal Palace”, ka shkruar Goal.