Gjyqtarët e ndeshjeve në Superligën e Kosovës në edicionin 2023/2024, do të delegohen përmes shortit, që do të tërhiqet para çdo xhiroje, e që do të transmetohet në rrjetet sociale të FFK-së.
Kështu ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës të mërkurën në faqen zyrtare.
Një gjë e tillë është vendosur pas takimit që kryetari i FFK-së, Agim Ademi, e pati me gjyqtarët e futbollit të Kosovës.
“Delegimi i gjyqtarëve për ndeshje do të bëhet përmes shortit, i cili do të jetë transparent dhe do të aplikohet për çdo xhiro. Gjyqtarit të cilit përmes shortit i bie të referojë ndeshjen e përcaktuar me short, është i obliguar të jetë në krye të detyrës, me përjashtim të rasteve kur i njëjti e dëshmon se ka probleme shëndetësore ose për arsye të tjera”, ka shkruar FFK-ja ndër të tjera.