Sport

Gjyqtarët grekë refuzojnë të drejtojnë ndeshjet e Superligës për shkak të sigurisë

Gjyqtarët grekë dhe zyrtarët e ndeshjeve njoftuan të martën se nuk do të drejtojnë asnjë ndeshje të Superligës së futbollit të këtij vendi, duke filluar nga fundjava, në shenjë proteste. Ata kanë nisur bojkotin me arsyetimin se ndihen të rrezikuar.

Futbolli grek është dëmtuar nga telashet e shkaktuara nga tifozët, si dhe nga akuzat për korrupsion dhe trukime ndeshjesh, të cilat kanë nxitur pakënaqësi dhe kanë bërë që numri i shikuesve në tribuna të pakësohet.

Arbitrat në Greqi janë shpesh objektiv i sulmeve të dhunshme nga tifozët dhe disave u janë djegur shtëpitë dhe automjetet.

Muajin e kaluar arbitrit nga Athina, Andreas Gamaris, iu sulmua dyqani me armë zjarri. Ndërkohë, ditë më parë një gjyqtar tjetër, Tasos Papapetrou, dyshohet se mori kërcënime me vdekje pasi kishte drejtuar një ndeshje të Superligës vikendin e kaluar.

“Në vitet e kaluara gjyqtarët grekë dhe të huaj kanë qenë objektiv i përhershëm, një thes grushtimi dhe të akuzuar për largimin e përgjegjësive nga të tjerët”, thanë gjyqtarët e Superligës në një letër drejtuar komitetit qendror të arbitrave dhe Federatës Greke të Futbollit. “Akuzat që mbeten pa u ndëshkuar, ngacmimet, kërcënimet, sulmet verbale dhe fizike janë vetëm disa nga çështjet që e kanë bërë futbollin toksik”.

Presidentët e klubeve gjithashtu komentojnë rregullisht për gjyqtarë të caktuar, madje edhe para ndeshjeve. Në edicionet e mëparshme Superliga ka sjellë gjyqtarë të huaj për të lejuar vazhdimin e ndeshjeve të kategorisë superiore.

“Si rezultat, gjyqtarët dhe ndihmësgjyqtarët e divizionit të parë (Superligës) kanë vendosur që të mos drejtojnë asnjë ndeshje duke filluar nga xhiroja e 14-të (në fundjavë) derisa kushtet të jenë të përshtatshme për sigurinë tonë. Me këtë veprim ne synojmë të mbrojmë veten dhe familjet tona”, thuhet në letër, ku kërkohet edhe një takim me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.