Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjyqtarët e basketbollit në bojkot, nuk paguhen nga fillimi i sezonit

Shoqata e gjyqtarëve të basketbollit në vendin tonë ka lëshuar komunikatë për media rreth bojkotit që gjyqtarët i kanë bërë garave të organizuara nga Federata e Basketbollit të Kosovës.

Shkak për këtë bojkot është bërë borxhi që ka Federata karshi gjyqtarëve të basketbollit, që nga fillimi i këtij edicioni.

“Vendimin të cilin e kemi marrë për të mos gjykuar deri sa të paguhen borxhet tona, vjen si pasojë e një periudhe tri vjeçare, ku për tërë këtë kohë i kemi mirëkuptuar, por duke qene te mirëkuptues jemi neglizhuar dhe kemi mbet në harresë, sa që në mbledhjen që kemi mbajtur me drejtuesit e FBK-së, na u është thënë që borxhet tjera të FBK-së janë më prioritare dhe me shifra të larta sa që ju gjyqtarët nuk jeni për momentin prioriteti ynë”, shkruhet në njoftimin e Shoqatës së Gjyqtarëve.

Po ashtu në këtë njoftim thuhet se takimi i krerëve të shoqatës me drejtuesit e federatës me datën 16 dhjetor nuk ka rezultuar i suksesshëm pasi deri tani gjyqtarëve nuk u janë përmbushur kërkesat.

Shoqata e Gjyqtarëve ka reaguar ashpër edhe me zgjidhjen që ka bërë federata duke ftuar gjyqtarë të huaj për të drejtuar kampionatin gjersa gjyqtarët vendor janë në bojkot.

Edhe FBK: Referët nuk pranuan marrëveshjen tonë, për këtë u zëvendësuan nga gjyqtarë të huaj Sport FBK: Referët nuk pranuan marrëveshjen tonë, për këtë u zëvendësuan nga gjyqtarë të huaj

“FBK ka bërë një zgjidhje duke ftuar gjyqtarë nga rajoni duke i paguar me shuma deri 3 herë më shumë se neve. Taksa për ndeshje e gjyqtarëve që do gjykojnë ndeshjet në Kosovë është 200-250€ ku ekstra këtyre kanë të paguar udhëtimin (cent për kilometër) fjetjen dhe ushqimin nëpër hotele luksoze. Çuditërisht nuk mund të na paguajnë neve 80€, ku në këtë shumë janë të përfshira udhëtimi, ushqimi dhe ndalesat (trust-tatim)”, shkruhet në njoftim.

Sezoni pranveror në basketboll ka filluar këtë fundjavë, me gjyqtarë të huaj mirëpo me probleme “vendore”.