Sport

Gjyqtarët do t’i shpjegojnë vendimet e VAR-it në stadium dhe para audiencës televizive

Gjyqtarët do t'i shpjegojnë vendimet e VAR-it për turmat në stadium dhe për audiencën televizive, në një provë 12-mujore duke filluar në Kupën e Botës për klube në Marok në muajin shkurt. Kështu ka njoftuar organi ligjvënës i futbollit, IFAB.

Bordi i Shoqatës Ndërkombëtare të Futbollit (IFAB) dështoi për të aprovuar zëvendësimet e përkohshme për tronditje të trurit, sikurse në ragbi.

Sindikata e lojtarëve FIFPro kishte lobuar për një aprovim të tillë në Premier League, Ligue 1 të Francës dhe Major League Soccer të SHBA-së. IFAB-i lëshoi një deklaratë pas takimit në “Wembley Stadium” dhe tha se diskutoi në lidhje me rregullat e lojës, duke përfshirë udhëzimet për “luajtjen e qëllimshme” në situata për pozitë jashtë loje.

Pati polemika fundjavën e kaluar kur sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus Rashford, ishte në pozicion jashtë loje, por nuk e preku topin. U konsiderua se Rashford nuk ndërhyri në lojë, përpara se Bruno Fernandes të shënonte golin e barazimit në fitoren 2:1 ndaj Manchester Cityt.

Organi qeverisës i futbollit botëror, FIFA, ka investuar shumë në teknologjinë VAR që kur u prezantua në Kupën e Botës 2018 në Rusi, por polemikat mbetën.

Fitorja 2:1 e Japonisë ndaj Spanjës në Kupën e Botës 2022 në Katar shkaktoi një debat të nxehtë, me topin që fillimisht u gjykua se doli jashtë loje, por vendimi më pas u ndryshua pas një konsultimi të gjatë me VAR-in. Kjo thirrje çoi në golin e fitores të dhënë për japonezët. Shefi ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Anglisë (FA), Mark Bullingham, i cili drejtoi takimin, u tha gazetarëve se bisedat midis arbitrit dhe zyrtarit të VAR-it do të mbeten private. Megjithatë, gjyqtarët do të kenë një mikrofon për të shpjeguar rezultatin.

“Do të ketë një provë. Në turnetë e FIFA-s gjatë 12 muajve të ardhshëm do të ketë mundësi që gjyqtari, pasi të jetë marrë një vendim në VAR, t'i njoftojë të pranishmit në stadium dhe publikun në transmetim se çfarë ka ndodhur dhe ta sqarojë atë vendim”, tha ai. “Ne mendojmë se kjo është e rëndësishme për sa i përket transparencës dhe gjithashtu për turmën në stadium që mendojmë se për momentin nuk ka informacion të mjaftueshëm”.

Eksperimenti mund të shtrihet edhe në Kupën e Botës për futbolliste, që do të mbahet në Australi dhe në Zelandë të Re. IFAB-i tha se nuk u arrit konsensus për kryerjen e një zëvendësimi të përkohshëm për tronditje të ndodhura ose të dyshuara, por tema mbeti nën shqyrtim aktiv.