Gjykata e Apelit e Kosovës, më 19 qershor, vendosi që t’ia shtyjë për tre muaj vuajtjen e dënimit me burg, kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademit. Në arsyetimin e Apelit, thuhej se pas vlerësimit të pretendimeve ankimore si dhe të gjithë dokumentacionit mjekësor të paraqitur nga i dënuari, Gjykata gjeti se ai është pranuar në ekzaminim në një Klinikë Emergjente, për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, si dhe atij i është rekomanduar të pushojë, e pastaj të vazhdojë trajtimin e mëtejmë në institucionin në të cilin paraprakisht është trajtuar dhe ka historinë personale për sëmundjen.
Por, pavarësisht këtij vendimi, i pari i FFK-së, Agim Ademi e ka vazhduar punën në zyrat e FFK-së si çdoherë tjetër.
Madje, Ademi të martën ka qenë në Gjakovë, në ndeshjen që u zhvillua ndërmjet veteranëve të Kosovës dhe Vëllaznimit.
Në një video të publikuar nga Liga e Veteranëve të Kosovës në “Facebook”, Ademi shihet në një ambient të mbyllur, duke pranuar një dhuratë dhe më pas e ka mbajtur edhe një fjalim para veteranëve, raporton KOHA.
Gjykata kishte konsideruar se i dënuari ka nevojë për kujdes të shtuar shëndetësor, duke e plotësuar kështu kushtin për shtyrje të ekzekutimit të dënimit, deri në shërimin e sëmundjes, nëse personi i dënuar vuan nga një sëmundje e rëndë akute.
Një arsyetim tjetër i Gjykatës së Apelit, ishe edhe faktin i gjendjes së krijuar në Kosovë nga koronavirusi.
“Gjykata e Apelit, konsideron së dërgimi i tij, në vuajtje të dënimit, në këto kushte dhe rrethana, do të paraqiste rrezik për shëndetin e të dënuarit, si pasoj e pamundësisë për trajtimit adekuat shëndetësor dhe rrezikut për infektim nga personat e tjerë, më çka do të cenoheshin ndjeshëm të drejtat e tij, të proklamuara më ligj”, thuhej në njoftimin e Apelit.
Edhe sa i përket rrezikut nga pandemia, Agim Ademi së bashku me sekretarin Eroll Salihu dhe një numër i konsiderueshëm i veteranëve, shihen në një ambient të mbyllur, ku nuk mbajnë distancë, maska e as dorëza. Kryetari i FFK-së, edhe gjatë kohës pandemisë, nuk i kishte ndal vizitat në klubet e ndryshme, duke iu ofruar përkrahje nga afër.
KOHA ka provuar të marrë një prononcim nga kryetari Ademi lidhur me gjendjen shëndetësore të tij, por ai si zakonisht në javët e fundit nuk ka dashur të flas.
Agim Ademi është dënuar me 9 muaj burg efektiv për veprën penale, detyrim në tentativë. Ndaj këtij vendimi, Ademi është ankuar edhe në Gjykatën Supreme.