Sulmuesi senegalez Sadio Mane u gjobit me 500 mijë euro nga Bayerni pasi sulmoi fizikisht bashkëlojtarin Leroy Sane pas ndeshjes së parë kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve, por kjo nuk është gjoba më e madhe në historinë e futbollit.
“Pronari” i këtij rekordi famëkeq është Cristiano Ronaldo, i cili u dënua nga Manchester Unitedi vitin e kaluar me afërsisht 1.1 milionë euro, pasi refuzoi të shkonte në ndeshjen kundër Tottenhamit dhe më vonë u largua vullnetarisht nga stadiumi para përfundimit të ndeshjes.
Përveç pezullimit deri në një njoftim të dytë, Mane ka marrë edhe një gjobë, e cila është një rekord në historinë e Bundesligës gjermane, por që nuk do të jetë shumë e vështirë për të duke qenë se fiton mbi 20 milionë euro në vit.
Në të njëjtën kohë, gjatë bisedës me drejtuesit e klubit, Leroy Sane ka thënë se nuk dëshiron që Mane të dënohet më rëndë dhe ka hedhur poshtë mundësinë e ndërprerjes së kontratës me senegalezin.
Bild shkruan gjithashtu se, nëse Mane tregon pendim, ai mund të rikthehet në skuadër për ndeshjen e kthimit kundër Manchester City të mërkurën.