Gjimnasti rus, Ivan Kuliak, është pezulluar me një vit mosparaqitje në gara shkaku i shfaqjes së simbolit që është në përkrahje të pushtimit të Ukrainës nga Rusia, ka shkruar agjencia e lajmeve “Associated Press” të mërkurën.
Kuliak e kishte të ngjitur shkronjën “Z” në fanellën e tij. Ky simbol është parë në tanket dhe makinat ushtarake ruse në Ukrainë, si dhe nga ata që e kanë mbështetur këtë luftë. Me këtë fanellë, ai doli në ceremoninë e medaljeve në një ngjarje të Kupës së Botës në muajin mars. Bashkë me këtë dënim, Kuliaku duhet ta rikthejë medaljen e bronztë që e fitoi në disiplinën e paraleleve, ka thënë Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës.
20-vjeçari Kuliak qëndroi në podium në Doha të Katarit, pranë medalistit të artë nga Ukraina.