Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Gjendja emergjente vazhdon në Japoni, “Tokio 2020” në dyshim

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, ka njoftuar të premten se Qeveria do ta zgjasë gjendjen emergjente në Tokio dhe në zonat tjera deri më 31 maj. Lojërat Olimpike që priten të zhvillohen këtë verë në Tokio, nisin pas 11-të javësh.

Gjendja emergjente aktuale në Tokio dhe Osaka dhe në zonat Kyoto dhe Hyogo në perëndim, ishte paraparë të përfundonte të martën.

Suga ka thënë se Qeveria ka vendosur që ta vazhdojë gjendjen emergjente në Aichi në qendrën e Japonisë dhe Fukuoka, në jug, për shkak se rastet me infeksion janë duke u rritur.

Suga është zotuar se do ta shpejtojë procesin e vaksinimit pasi Japonia ka qenë më e ngadalta në mes shteteve të pasura. Vetëm rreth dy për qind e popullsisë është vaksinuar.

Kryeministri e ka përgëzuar ofertën e Pfizerit për vaksinimin e të gjithë sportistëve Olimpik dhe Paralimpik, duke nënvizuar se sportistët japonez po ashtu dëshirojnë që të vaksinohen para Lojërave.

Të premten, Tokio regjistroi 907 raste të reja të infeksioneve me koronavirus, dhe ka pasur rritje nga muaji i kaluar kur u vendos gjendja emergjente, e ku ishin 635 raste pozitive me COVID-19.