Tokio 2020

Vazhdojnë të rriten shifrat e rasteve me koronavirus në Tokio para fillimit të Lojërave Olimpike

Tokio ka regjistruar të enjten numrin më të madh të rasteve me COVID-19 në gjashtë muajt e fundit, vetëm një ditë para fillimit të Lojërave Olimpike, ndërsa po ka brenga se shifrat e infeksionit mund të rriten dukshëm gjatë Lojërave, raporton agjencia AP.

Të enjten janë regjistruar 1979 raste të reja me koronavirus në Tokio, shifra më e lartë që nga 15 janari, kur u regjistruar 2044 raste.

Kryeministri i Japonisë, Yoshihide Suga, që është i vendosur që të organizohen Lojërat Olimpike, e ka vendosur Tokion nën gjendje emergjente më 12 korrik, por prapë shifrat e infeksionit po vazhdojnë të rriten.

Masat, që kryesisht përfshijnë ndalimin e shitjes së alkoolit dhe po ashtu shkurtim të orarit të punës për restorantet e baret, janë në fuqideri më 22 gusht, pra dy javë pasi që Lojërat Olimpike të mbarojnë më 8 gusht.

Japonia ka regjistruar rreth 853 raste me koronavirus e 15.100 të vdekur që nga fillimi i pandemisë. Shumica e tyre këtë vit. Prapë, numri i rasteve dhe i vdekjeve është dukshëm më i ulët se në shtetet tjera.

Lojërat Olimpike, që ishin shtyrë për një vit shkaku i pandemisë, do të nisin të premten. Është ndaluar pjesëmarrja e spektatorëve në arenat në Tokio.

Qeveria e Sugas është kritikuar se ka prioritizuar Lojërat Olimpike para shëndetit. Po ka pak festë para fillimit të Lojërave Olimpike. Të enjten, drejtori i ceremonisë hapëse, Kentaro Kobayashi, është shkarkuar për shkak të një shakaje që kishte bërë në të kaluarën për Holokaustin.