Akil Gjakovës rrallë i është larguar buzëqeshja nga fytyra. Suksesi i arritur të shtunën e ka gëzuar shumë. Akili po shijon suksesin, përkatësisht frytet e një pune të madhe që e ka bërë për shumë e shumë vjet.
25-vjeçari nga Peja prej të shtunës është kampion i Evropës në xhudo, në kategorinë deri 73 kilogramë. Është kjo kategoria e vlerësuar më e forta në xhudo, apo të paktën me konkurrencën më të madhe.
Akili të dielën ka udhëtuar nga Lisbona për në Kosovë, ndërsa menjëherë të hënën u është kthyer detyrave të zakonshme. Tani si kampion evropian.
Për të nuk ka kohë për pushim. Urimet për suksesin e madh i vijnë pa ndalur dhe ai me mirësi u përgjigjet të gjithëve.
Sjelljet e mira e karakterizojnë jashtë tatamit, ndërsa serioziteti dhe angazhimi maksimal brenda tij. Akili menjëherë të hënën ka bërë dy stërvitje dhe kështu ka dëshmuar se synimet i ka më të mëdha. Ai synon medalje botërore e olimpike. Por, natyrisht vlerëson lart suksesin që e ka arritur. Është i pari prej sportistëve meshkuj që ka fituar titull të Evropës për Kosovën.
KOHA e ka vizituar Akil Gjakovën të hënën në Pejë.
KOHA: Jeni pjesë e kategorisë që njihet prej më të vështirave në xhudo. Të bëhesh kampion evropian në kategorinë deri 73 kilogramë, natyrisht nuk është e lehtë.
Akil Gjakova: Është shumë e vështirë të bëhesh kampion i Evropës, pasi konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe, duke marrë parasysh në cilën kategori jam pjesë. Mund të them se nga 20 garuesit pjesëmarrës, mund të fitojnë dhe të bëhen kampionë të gjithë. Secili garues në kategorinë time mund ta mposhtë secilin.
Medaljen e artë jam duke e kërkuar tash e një kohë të gjatë dhe deri më tani e kam pasur një plasman. Por me punë të madhe, angazhim dhe përkushtim të madh, e po ashtu me sakrificë, kam arritur të vij këtu ku jam sot. Mendoj që më është shpërblyer mundi që kam bërë deri më tani.
KOHA: Kur e mendon ditën e garës, çka do të veçoje më së shumti?
Akil Gjakova: Gjatë ditës së garës kërkoj të jem i qetë maksimalisht. Zakonisht e mendoj medaljen, por kësaj radhe synim nga fillimi e kam pasur vetëm të artën. Për këtë e kam pasur një bindje që do ta fitoj, pasi kam qenë shumë i fokusuar dhe i përgatitur. Thjesht kam dashur të kem rezultat.
KOHA: Ke realizuar aksione shumë të bukura. Në fakt, njihesh si një prej xhudistëve më atraktivë falë atyre gjuajtjeve. Ku është sekreti?
Akil Gjakova: Zakonisht varet se si dëshironi ta perceptoni luftën. A dëshironi të shkoni nga dënimet apo dëshironi ta dominoni kundërshtarin. Normalisht, dominimi ka rrezik më të madh. Por unë njihem si një xhudist që bëj më shumë hedhje. Kam taktikë të mirë, por preferoj hedhje që ta përfundoj luftën në mënyrë më atraktive.
KOHA: Me medalje evropiane keni kaluar një barrierë të rëndësishme psikologjike. Tani ke titull nga kampionatet zyrtare. A ishte barrë për ty mungesa e medaljes së tillë, duke ditur se në ngjarje të tjera të xhudos ke pasur medalje?
Akil Gjakova: Synimi kryesor i imi ka qenë të fitoj medalje të artë evropiane. Për mua ka qenë një ëndërr që tani u realizua. Sigurisht që synimet janë të vazhdohet me medalje edhe në të ardhmen, dhe të arrijë sa më shumë suksese.
KOHA: Cilat janë planet e synimet e kampionit evropian?
Akil Gjakova: Tani do të përgatitemi për garat e ardhshme. Por, rëndësia e Lojërave Olimpike është tejet e madhe. Besoj se deri atëherë do të kemi kohë të përgatitemi në mënyrën më të mirë. Një gjë që mund të them është se të gjithë do të japim më të mirën dhe do të luftojmë që të arrijmë të fitojmë medalje.
KOHA: Je i pari prej sportistëve meshkuj të Kosovës me titull evropian. Sigurisht jeni krenar për këtë.
Akil Gjakova: Jam shumë krenar pasi gjithmonë kam dëshirë që ta përfaqësoj shtetin tim, Kosovën, në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam krenar që jam sportisti i parë në konkurrencë të meshkujve që kam arritur të fitoj medalje në Kampionatin Evropian. Këto suksese, të cilat i kemi arritur, sigurisht që janë meritë e trajnerit Driton Kuka, i cili ka treguar që është një ndër trajnerët më të mëdhenj në botë.