Sport

Giresse për KOHËN: Ndeshjet me Zvicrën do të dallojnë nga miqësorja në Zuerich

Tifozët e Kosovës duhet të presin gati edhe një vit për ndeshjen me Zvicrën. Por dy takimet me helvetikët në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”, pritet të jenë temë e vazhdueshme deri më 9 shtator 2023. Më 9 shtator në Prishtinë luhet takimi Kosova–Zvicra. Ndërkohë më 18 nëntor 2023 është ndeshja Zvicra–Kosova.

Selektori i Kosovës, Alain Giresse, e di se bëhet fjalë për dy ndeshje të veçanta. Dhe e di po ashtu se ndeshjet kualifikuese do të dallojnë nga miqësorja që Zvicra e Kosova e luajtën më 29 mars në Zuerich. Ajo ndeshje kishte përfunduar 1:1.

Barazimet në ndeshjet zyrtare do të ishin sukses i madh për Kosovën, marrë për bazë që Zvicra është favoritja e madhe e grupit. Zvicra do të luajë në Botëror dhe ishte në vazon e parë për short. Ndërkohë, Kosova ishte në vazon e katërt.

“Është një lojë e veçantë me Zvicrën dhe të gjithë e presin me padurim, marrë parasysh gjithë kosovarët që jetojnë në Zvicër, origjinën e lojtarëve tanë dhe origjinën e lojtarëve zviceranë. E kemi parë në Zuerich se çfarë mund të përfaqësojë kjo ndeshje. Do të jenë ndeshje zyrtare, do të jenë ndeshje zyrtare dhe do të jenë takime ndryshe. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë dhe mendoj se këto dy lojëra duhet t’i marrim në konsideratë”, ka theksuar Giresse për KOHËN.

Zvicra ka lidhje të fuqishme futbolli me Kosovën. Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë lojtarët kryesorë të helvetikëve. Të tjerë kosovarë pritet të ftohen shumë shpejt. Në Zvicër jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe ndeshjet me Kosovën pritet të jenë emocionale. Po ashtu, shumë lojtarë të Kosovës janë rritur e janë zhvilluar në Zvicër.

Në Grupin I, ku janë Kosova e Zvicra, garojnë edhe Izraeli, Rumania, Bjellorusia dhe Andorra. Kosova ndeshjen e parë e luan ndaj Izraelit në udhëtim, më 25 mars. Më pas luan në shtëpi ndaj Andorrës, më 28 mars. Dy ndeshje të tjera i ka në qershor dhe nga dy në shtator, tetor e nëntor.

“Shorti na ka vendosur në një grup që mund të themi se është i vështirë. Madje shumë i vështirë, me ekipe të forta që i përfaqësojnë vendet e tyre. Është një grup që padyshim nuk është i lehtë. Por është grup që na lejon të motivohemi, të kemi ambicie dhe të themi se mund të bëjmë një performancë. Rezultati i gjithë kësaj do të shihet në terren. Varet shumë nga kualiteti i lojës sonë, paraqitjet që do t’i kemi, në mënyrë që të kemi fazë kualifikuese të mirë”, ka shtuar Giresse.

Tekniku francez e di që dëshira e tifozëve të Kosovës është kualifikimi i parë në një ngjarje të madhe. Për këtë Kosovës i duhet të zërë njërën prej dy pozitave të para. Me Izraelin, Rumaninë dhe Bjellorusinë në grup, vendi i dytë do të jetë shumë sfidues për Kosovën. Forma e shfaqur së fundi, po ashtu, nuk jep shumë arsye për optimizëm.

“Është vështirë të vlerësohet mundësia për të përfunduar në vendin e dytë. Të përfundosh i dyti do të thotë se duhet të bëjmë një kampanjë të mirë. Nuk ka vend për shumë gabime gjatë rrugës”, ka thënë Giresse.

Sipas francezit, e rëndësishme do të jetë edhe vazhdimësia.

“Është një fazë kualifikuese e gjatë. Do t’i kemi dhjetë ndeshje për t’i luajtur dhe kjo nuk është pak. Tani na duhet të motivohemi, të mendojmë se çfarë duam të arrijmë dhe t’i realizojmë të gjitha këto ndeshje në kushtet më të mira të mundshme, nga fillimi deri në fund”.

Kosova për herë të dytë paraqitet në kualifikime për Evropian. Në kualifikimet për “Euro 2020” u rendit e treta, pas Anglisë dhe Çekisë. Ndërkohë për Botëror në dy kampanja kualifikuese ishte e fundit.