Sport

Giacomo Raspadori, ylli i ardhshëm i sulmit të Italisë

Kur Roberto Mancini shpalli listën e 26 lojtarëve për “Euro 2020”, gjatë një shfaqjeje televizive të drejtpërdrejtë në fillim të qershorit, ishte përfshirja befasuese e Giacomo Raspadorit që nxiti shumicën e debatit.

Kritikët pyesnin se si ishte e mundur që një lojtar me një pagë javore prej tre mijë eurosh mund të përfshihej në një ekip që synonte të fitonte trofeun. Siç ndodhi, ai mezi u paraqit në kampanjën fituese të Italisë në Evropian, duke luajtur vetëm një ndeshje si zëvendësues, kundër Uellsit.

Por, vizioni i Mancinit tani po bëhet më i qartë. Raspadori është qendërsulmuesi i ardhshëm i Italisë në krijim, një lojtar të cilit i beson ish-trajneri i Manchester Cityt, për t’ia dhënë një rol që ka qenë pozitiv për Italinë në të shkuarën.

Mancini ka në mendje gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve kundër Spanjës, por për periudhë më të gjatë ai e sheh Raspadorin si një figurë kryesore për Kampionatin Botëror që mbahet vitin e ardhshëm në Katar.

Raspadori ishte një surprizë gjatë verës, bazuar në të kaluarën e tij si lojtar. Ai shënoi gjashtë gola në 27 ndeshje për Sassuolon edicionin e kaluar. Me dy golat kundër Milanit në “San Siro” në muajin prill, kërcënoi të prishte kthimin e “Rossonerëve” në Ligën e Kampionëve. Në moshën 21-vjeçare, atij iu dha shiriti i kapitenit në fillim të atij muaji për një ndeshje kundër Romës. Ishte një periudhë që çimentoi statusin e një lojtari që iu bashkua klubit në moshën tetëvjeçare dhe siguroi që Sassuolo do të tejkalonte të gjitha ndalesat për ta mbajtur atë. Gjatë verës, Sassuolo vuri në dispozicion për shitje pothuajse të gjithë lojtarët më të çmuar. Manuel Locatelli dhe Francesco Caputo u transferuan në Juventus, respektivisht Sampdoria, ndërsa Domenico Berardi dhe Jeremie Boga ishin në shitje, por përfundimisht qëndruan. Vetëm një lojtar nuk shkonte askund në mënyrë kategorike.

“Në asnjë mënyrë Giacomo nuk do të largohet nga Sassuolo”, tha shefi ekzekutiv i Sassuolos, Giovanni Carnevali, para dhe gjatë afatit kalimtar të verës për sulmuesin Raspadori.

Raspadori, një tifoz i Interit, është një i ri i qetë që kombinon frikësimin e mbrojtësve të Serie A me studimin e shkencave sportive në universitet. Ai mund të gjuajë mirë me të dyja këmbët, mund të lidhë lojën me shokët e skuadrës dhe e di se ku është porta kundërshtare.

“Unë jam një përzierje e Gianluca Viallit dhe Mancinit”, pranoi Raspadori kur u pyet për stilin e tij të lojës. “Unë jam i ngjashëm me Sergio Agueron, por sulmuesi që kam dashur më shumë është Samuel Eto'o”.

Në qershor, shumë e krahasuan ftesën e tij tek Italia me atë të Paolo Rossit për Kampionatin Botëror të vitit 1982. Edhe ftesa e Rossit ishte e papritur, ndonëse për një arsye krejtësisht tjetër - ai sapo ishte kthyer nga një ndalim trevjeçar për përfshirjen në një skandal. Ajo që ndodhi më pas në Spanjë është histori më vete, me Rossin që përfundoi në atë turne si golashënuesi më i mirë.

Ndikimi i Raspadorit në verë nuk ishte i tillë. Por, shpresa është se Botërori që mbahet vitin tjetër në Katar, mund të jetë skena e tij. Shfaqja e tij e vë pozicionin e Ciro Immobiles nën kërcënimin më të madh. Sulmuesi i Lazios do të humbasë plejofin e Ligës së Kombeve me një dëmtim që mori në ndeshjen e fundit të klubit të tij në Ligën e Evropës dhe pak dyshojnë se kush do të jetë startues për ndeshjen gjysmëfinale kundër Spanjës që luhet të mërkurën në “San Siro”.

Raspadori pritet t’i prijë sulmit italian në këtë takim. Italia ishte skuadra më efikase në “Euro 2020”, së bashku me Spanjën, me nga 13 gola. Por, Immobile shënoi dy dhe sulmuesi tjetër Andrea Belotti asnjë. Përzgjedhësi i Italisë gjithmonë ka mbështetur golashënuesit e tij të parë, të cilët kanë nga tetë gola, që kur ka marrë drejtimin e ekipit. Por, Mancini ka thënë, gjithashtu, se nuk ka hierarki të caktuar. Mancini e çoi Raspadorin në Evropian për ta integruar dhe përgatitur atë për detyrat që e presin, si dhe për të filluar procesin e trashëgimisë. 15 minutat që ai luajti në Romë kundër Uellsit ishin shija e parë e vërtetë e futbollit elitar ndërkombëtar, pasi kishte përjetuar vetëm një miqësore para turneut.

Ishte e jashtëzakonshme sa i sigurt ishte Raspadori dhe kjo ka vazhduar në shanset që i janë dhënë që nga “Euro 2020”.

Gjatë ndeshjeve ndërkombëtare të muajit të kaluar, ai u fut dy herë si rezervist dhe ishte titullar në ndeshjen e fundit - debutimin e tij të plotë - kundër Lituanisë, duke shënuar një gol dhe duke detyruar mbrojtjen kundërshtare të shënojë një autogol në një paraqitje mbresëlënëse.

“Unë dua të vazhdoj të ëndërroj se një ditë do ta udhëheq sulmin e Italisë në ndonjë turne të madh. Kjo është ëndrra ime, për të cilën po punoj”, pranoi Raspadori.

Mancini është i bindur për lojtarin. Bazuar në atë që futbolli italian ka për të ofruar, ish-trajneri i Interit ka vendosur të bëjë gjithçka për Raspadorin. Mbetet të shihet nëse Raspadori do të jetë në gjendje deri vitin tjetër të dalë në skenë te Italia, me gjithë konkurrencën e fortë nga Immobile, Belotti, Gianluca Scamacca e Moise Kean. Gjasat janë të mëdha pasi Mancini po beson se Raspadori ka të gjitha cilësitë e një sulmuesi që ai e kërkon. E një gjë të tillë e pranon edhe vetë lojtari.

“Unë kam aftësitë dhe trupin e një sulmuesi të vërtetë dhe shpresoj ta bindi trajnerin për këtë”, tha Raspadori.

Ai mund të luajë edhe si nëntëshe false dhe këtë e ka konfirmuar edhe ish-trajneri i tij te Sassuolo, Roberto de Zerbi.

“Giacomo është pak si një numër nëntë dhe pak një numër dhjetë, sepse ai lidhet me lojën shumë mirë. Mancini e ka parë këtë dhe për këtë arsye e ka afruar në skuadrën e tij”, tha De Zerbi.