Mesfushori i krahut, Enis Gavazaj, është kthyer te Prishtina.
Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë ishte larguar nga kryeqytetasit para shtatë vitesh te Genti në Belgjikë, ndërsa më pas karrierën e kishte vazhduar te Rosalare (Belgjikë), Skënderbeu, Yenisey (Rusi), Dinamo Minsk (Bjellorusi) dhe së fundmi në Kukës.
“Kthimi në Prishtinë më shtyu ambiciet e klubit. Ka ardhur koha t’i ndihmoj klubit siç më kishte ndihmuar klubi mua shumë vite më herët. Kam ardhur për të mirën e dyanshme. Prishtina prej kur isha unë ka ndryshuar shumë, vetëm pak bashkëlojtarë që kam pasur më herët ende janë pjesë e klubit. Ka ndryshuar stadiumi e që tani është ambient shumë më i mirë se që ka qenë. E njoh ekipin, e përcolla edhe dje me Llapin, më pëlqeu, thjesht duhet punë dhe me këtë ekip besoj që mund të arrijmë shumë lart. Premtoj më të mirën nga ana ime, gola dhe asistime”, ka thënë ai për faqen e klubit.