Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, gjatë një vizite që i bëri sot KOK-ut, ka ofruar mbështetjen e ministrisë që ai drejton për këtë institucion të rëndësishëm të sportit kosovar edhe në të ardhmen.
Ai pas takimit me kreun e KOK-ut, Besim Hasani, tha se vizita e tij në KOK kishte për qëllim rritjen e bashkëpunimit reciprok dhe identifikimin e problemeve me të cilat përballet sporti kosovar.
“Për këtë jemi dakorduar bashkërisht që të shohim mundësinë në vitin 2019 dhe jemi në fazën e hartimit të buxhetit për 2019, mundësitë që ministria që së bashku me KOK-un të kenë investime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë jemi pajtuar që rregulloret për kategorizim t’i plotësojmë me nevoja dhe kërkesa të reja, pasi ka qenë viti i parë që ministria ka mbështet sportistët me rregullore për kategorizim, por ka nevojë për plotësime, pasi nevojitet një buxhet më të madh për përgatitjen e sportistëve për lojërat olimpike”, tha ai.
Ai ka folur edhe rreth ligjit për sponsorizim, për të cilin bëri të ditur se është formuar edhe një komision, i cili bën vërtetimin e sponsorizimit dhe për herë të parë në Kosovë janë lëshuar tri vërtetime të tilla.
“Por, meqë ky ligj ka mos harmonizim me të ardhurat në korporata, ne jemi pajtuar edhe me Ministrinë e Financave që ky ligj të kalojë në Kuvend dhe të harmonizohet me ligjin për sponsorizim. Tashmë është një lajm i mirë që ligji për të ardhura të korporatave ka kaluar në Qeveri dhe është në agjendë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të gjitha sportet të përfitojnë nga ky ligj”, tha ministri Gashi.
Edhe
Gashi: Ligji për sponsorizim do të thotë më shumë medalje për Kosovën
Për më tepër, ai tha se anëtarësimi i sporteve të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë kërkon edhe harmonizimin e dokumentacionit të federatave të sportit kosovarë me ato ndërkombëtare.
Ndërsa e quajti lajm të mirë licencimin e stadiumit “Fadil Vokrri” nga UEFA, ministri Gashi pranoi se infrastruktura sportive në Kosovë është ende larg nga ajo duhet të jetë, me shpresën se përparime do të ketë gradualisht në të ardhmen.
Kreu i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, njërin ndër problemet për të cilat ka biseduar me ministrin Gashi sot në takim ka përmendur gjetjen e formave të mundshme të bashkëpunimit që sportistët kosovarë të kenë më tepër mbështetje.
“Biseduam edhe për hapësirat e KOK-ut. Ndërkombëtarizimi i sportit ka hapur detyra të mëdha para nesh dhe për realizimin e objektivave strategjike që ka KOK-u, këtë duhet ta bëjë me njerëz. Nevojat janë më dyfish më të mëdha dhe paraqitet nevoja për zgjerim të hapësirave dhe shpresojmë se në të ardhmen do të bëjmë edhe këtë zgjidhje”, tha ai.
Edhe
Gashi bën thirrje për amandamentim dhe zbatim të ligjit për sponsorizime
Kreu i KOK-ut ndërkaq shfaqi shpresën se ligji për sponorizim do të zbatohet në të ardhmen.
“Krahas burimit të financimit nga ministria, ne duhet të jemi më aktivë dhe të gjejmë sponsorë nga biznesi dhe shpresojmë se ligji për sponsorime do të implementohet pasi të kalojë nëpër disa procedura”, tha ai.