Sport

Garë e fortë për trofeun e parë të vitit

Palestra “Shani Nushi” në Gjakovë do të jetë arenë e garës së fortë për trofeun e parë të vitit 2024 në basketbollin kosovar. Tetë skuadrat e Superligës prej të martës e deri të shtunën do të garojnë për trofeun e Kupës së Kosovës në basketboll.

Xhiroja e 21-të, e zhvilluar prej të enjtes deri të shtunën, ka dhënë një pasqyrë të përafërt të forcës së skuadrave në prag të turneut të Kupës së Kosovës.

Fituesja në fuqi e Kupës, Trepça, llogaritet favoritja kryesore. Trepça në Superligë është në seri prej 14 fitoreve, ndërsa udhëheq në tabelë me 40 pikë.

Megjithatë, Trepça të premten arriti fitore shumë të vështirë ndaj Golden Eagle Yllit në “Minatori”. 78:73 në të mirë të Trepçës ishte rezultati në fund, ndërsa suharekasit shfaqën dukshëm më tepër energji e përkushtim nën urdhrat e trajnerit të ri, Petar Mijoviq.

Trepçës i munguan disa lojtarë për shkak të lëndimeve, ndërsa rastin ende nuk e ka fituar përforcimi i ri, qendra Devonte Upson. Ai pritet të ofrojë forcë shtesë nën kosh, ndërsa pritet të debutojë pikërisht në turneun e Kupës.

Forma e Yllit sa shkon e rritet, ndërsa suharekasit pretendojnë të shkojnë deri në fund në garën për Kupë.

Të martën prej orës 17:00, Trepça nuk pritet të ketë telashe ndaj Istogut në çerekfinalen e parë. Ndeshje e fortë pritet të jetë ajo mes Yllit e Vëllaznimit, të martën prej orës 20:00. Vëllaznimi synon suksesin, por nuk ka dhënë shenja të mira të shtunën ndaj Prishtinës. Disa prej përforcimeve të fundit nuk ndezën, dhe mbetet të shihet nëse përkrahja e fuqishme nga tribunat do t’u mjaftojë gjakovarëve.

Dy çerekfinalet tjera janë të mërkurën. Prej orës 17:00 takohen Peja e Bashkimi. Këto dy skuadra u takuan edhe në kuadër të xhiros së fundit në Superligë. Në Prizren, Bashkimi fitoi me rezultatin 84:78. Kështu që pritet ndeshje e fortë dhe dramë deri në fund. Të dy skuadrat shohin rastin e tyre për të kaluar në gjysmëfinale.

Çerekfinalja e fundit është mes Sigal Prishtinës dhe Proton Cable Prizrenit, të mërkurën nga ora 20:00. Prishtina së fundi ka prezantuar dy ardhje të reja, që sipas klubit janë shumë cilësore. Kështu që “fytyra” e Prishtinës mund të ndryshojë në turneun e Kupës, ku Prishtina, si zakonisht, synon trofeun. Prizreni është autsajder, por vlerësohet ekip që mund të befasojë secilin rival.

Ndeshjet gjysmëfinale janë të enjten prej orës 17:00 dhe orës 20:00. Finalja është të shtunën, më 17 shkurt.

Në Gjakovë pritet të ketë festë basketbolli. Priten edhe tifozët e skuadrave. Shpresohet që tifozët të kontribuojnë në spektakël e jo të bëhen protagonistë me incidente.