Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Garat në basketboll do të anulohen, nuk pritet të shpallen kampionët

Thuajse të gjitha skuadrat e Superligës në basketboll i kanë liruar lojtarët e huaj. Skuadrat kanë ndërprerë stërvitjet dhe me shumë mundësi nuk do t’i rifillojnë deri në verë.

Federata e Basketbollit të Kosovës brenda javës pritet të publikojë vendimin për të mos e vazhduar edicionin 2019\2020. Aktualisht garat janë të pezulluara për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Burime të Koha.net brenda FBK-së kanë bërë të ditur të martën pasdite që edicioni nuk do të vazhdojë. Është duke u diskutuar nëse duhet të shpallen kampionët. Por kjo me shumë mundësi nuk do të ndodhë. Edicioni 2019\2020 pritet të mbetet pa kampionë dhe të njihet si i anuluar.

Brenda FBK-së, përkatësisht Bordit të federatës, ka të tillë që mendojnë se skuadrat që janë të parat në tabelë të shpallen kampionë. Por më i madh është numri i atyre që mendojnë se kampionët nuk duhet të shpallen.

“Do t’i anulojmë garat. Por sot nuk do të ketë ndonjë vendim. Zyra e Federatës është duke e përpiluar vendimin, mbështetur në bazë ligjore. Kjo merr pak kohë, pasi situata nuk është e thjeshtë. Ka pak dilema për shpalljen e kampionëve, por po pritet të përmbyllet edicioni pa ndarë tituj. Vetëm të shpallet i anuluar. Vendimi do të vlejë për të gjitha kategoritë”, ka thënë burimi brenda FBK-së.

Në Superligën e meshkujve udhëheq Sigal Prishtina që i ka 42 pikë, një më shumë se Rahoveci e dy më shumë se Golden Eagle Ylli. Ndeshja Sigal Prishtina – Rahoveci është pezulluar një ditë para se të luhej.

Kupën e Kosovës e ka fituar Peja.