FC Luzerni e ka vazhduar besimin te sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës U19, Mark Marleku.
20-vjeçari Marleku ka nënshkruar kontratën profesionale deri në vitin 2023, transmeton KOHA.
Sulmuesi i “Dardanëve” të rinj ka debutuar për ekipin e parë në fazën e fundit të sezonit të kaluar dhe ka shënuar një gol në kategorinë e katërt të futbollit zviceran në edicionin e ri, kundër Zurichut U21. Deri tani ka zhvilluar tri ndeshje në kampanjën e re.
“Jam shumë i lumtur t’u njoftoj se kam nënshkruar kontratën e parë profesionale me FC Luzernin. Dua ta falënderoj FC Luzernin për besimin që ka në mua dhe shpresoj se do të kemi shumë suksese së bashku! Dua ta falënderoj edhe familjen time, shoqërinë dhe menaxherin për mbështetjen e palodhshme”, ka shkruar Marleku në rrjetin social “Instagram”.
Marleku ka debutuar me Kosovën U19 më 10 tetor 2018, derisa i ka zhvilluar tri ndeshje në total me këtë grupmoshë.