Toni Dovale do të duhej të ishte duke u bërë gati për fillimin e stinorit në Azi, Iragartze Fernandez për ndeshjen e saj të radhës si ndihmës-refere dhe Estela Fernandez duke analizuar kundërshtarët e radhës të Madrid CFF në Primera Iberdrola. Mirëpo, COVID-19 ka ndryshuar gjithë këtë, shkruan faqja zyrtare e FIFA-s.
Në javët e fundit, miliona njerëz kanë qëndruar në shtëpi për të parandaluar përhapjen e virusit, derisa të tjerët kanë luftuar direkt në vijën e frontit. Falë studimeve të tyre dhe profesioneve që janë të pajtueshme me futboll, treshja e lartpërmendur është duke ndihmuar në luftën ndaj pandemisë në Spanjë, një nga vendet që është prekur më së keqi.
Iragartze Fernandez – refere dhe infermiere
Me babanë e saj futbollist dhe disa anëtarë të tjerë të familjes në profesionin e shëndetësisë, Iragartze ishte e sigurt nga një moshë e re se dëshiron të ndjekë të dy karrierat. Pesë vjet më parë, një lëndim ndali karrierën e saj si futbolliste, duke hapur rrugën për të nisur me referim.
Para se stinori të pezullohej, ajo po punonte si ndihmës-refere në Primera Iberdrola (elita e futbollit të femrave në Spanjë), si dhe në kategorinë e tretë të meshkujve. Për më tepër, ajo kombinon detyrat në referim me punën e saj si infermiere në një qendër të shëndetësisë.
Edhe
Fernandez pas kartonit të kuq: Gara s’është vetëm fitore
“Kur kam vendosur të bëhem refere, babai im u frikësua pak për mua, por ai më përkrah dhe madje edhe më tregon gabimet që kam bërë. Ai është sikur VAR i imi personal”, thotë ajo duke qeshur.
Shqetësimi që familja e saj ndien për të është kthyer, por tash nuk ka të bëjë asgjë me futbollin.
“Prindërit e mi janë të shqetësuar pasi jemi në vijën e frontit”, thotë Fernandez.
Pasi që futbolli është pezulluar, Iragartze ka ofruar të punojë me orar të plotë në qendrën shëndetësore ku punon, që është një nga vetëm katër në Bilbao të dedikuara plotësisht me pacientët për COVID-19.
“Ne jemi duke operuar me protokolle të reja dhe në mënyrë të vazhdueshme po ndryshojmë mënyrën se si punojmë. Kjo mund të shkaktojë lodhje psikologjike, por vërtet më pëlqejnë sfidat, që, për ne si punëtorë shëndetësorë, kjo vërtet është sfidë”, ka thënë Fernandez.
Ajo pranon se referimi e ka përgatitur pak që të përballet më mirë me stresin.
“Çdo fundjavë duhet të marrësh vendime të shpejta dhe është disi ngjashëm edhe në këtë situatë. Me COVID duhet të marrësh vendime shumë të rëndësishme”, thotë ajo.
Ajo për të luftuar stresin dhe lodhjen, po bën edhe ushtrime. Ndërkohë po ashtu si motivim i ka edhe duartrokitjet që po marrin punëtorët shëndetësorë, që zakonisht po vijnë nga fundi i ndërrimit të saj.
“Njerëzit na shohin duke ardhur në punë dhe na inkurajojnë edhe më tepër. Mund të ketë deri në dhjetë minuta duartrokitje për ne, me muzikë dhe vallëzime. Ata na motivojnë neve. Kështu që i thua vetes, ‘Nesër do të shkojë edhe me më tepër entuziazëm në punë’”, thotë Fernandez.
Ajo tregon se vërtet ndien mungesën për futboll.
“Vërtet më mungojnë ato të premte kur bëja gati valixhet, flamujt e referimit dhe po ashtu pajisjet dhe atë ndjenjë duke pritur me padurim çdo fundjavë”, thotë referja.
Toni Dovale – futbollist dhe farmacist
“Unë kam studiuar farmacinë në kohën e njëjtë kur po ndiqja karrierën në futboll”, shpjegon Toni.
Një lojtar i dalë nga akademia e famshme e Barcelonës, “La Masia”, sulmuesi ka luajtur për Celta Vigon e Rayo Vallecanon në Spanjë, si dhe për klube në SHBA, Indi e Tajlandë.
Kur filloi kriza e koronavirusit në Spanjë ai ishte kthyer në vendlindje për pushime. Por, duke marrë parasysh se nëna e tij ka një barnatore në Coruna, lojtari nuk mendoi dy herë.
“Unë kam kualifikim që më mundëson të ndihmoj njerëzit në këto kohë të vështira dhe kjo është mënyra më e mirë që mund të bëj këtë”, thotë Toni Dovale.
Edhe
Pavarësisht mungesave, Kosova synon fitoren ndaj Andorrës
Para se të shkojë në punë në mëngjes, Toni bën ushtrime.
“Bëj pak ushtrime me pajisje të improvizuara. Përdori bidonë të ujit, orendi të shtëpisë e gjëra të tjera”, thotë Toni.
Më pas është koha e tij për t’u bërë gati dhe shkuar në barnatore, duke marrë masa mbrojtëse sado që është e mundur, ndonëse ka mungesë të pajisjeve mbrojtëse personale.
“Deri së fundi po bënim maskat tona me gjëra të ndryshme”, thotë ai.
Mungesa e maskave, dorëzave dhe dezinfektuesve ishte shqetësim konstant në javët e fundit.
Për fat të mirë, Toni kishte parashikuar këtë.
“Unë e dija se si ishte situata në Azi me muaj dhe paralajmërova familjen time”, thotë ai.
Për 30-vjeçarin, jeta e përditshme nuk është aspak e lehtë, duke qenë gjithmonë prezent rreziku i infektimit.
E kuptueshme, atij po ashtu i mungon futbolli.
“Fusha, era e barit, tingulli kur godet topin, adrenalina duke luajtur në stadium të mbushur. Por, për tash prioritet është jeta e njeriut”, thotë Toni Dovale.
Por, Toni është optimist.
“Pavarësisht se si i sheh gjërat, çdo ditë e kaluar na sjell më afër normalitetit”, thotë ai.

Estela Fernandez – futbolliste dhe police
“Në përgjithësi, njerëzit janë duke e marrë karantinën seriozisht”, thotë Estela, që është e lehtësuar me këtë fakt.
Edhe Estela Fernandez është në vijë të frontit në këto ditë, duke u përkujdesur që njerëzit t’iu përmbahen masave të kufizimit. Këtë detyrë mesfushorja e kryen në Parla të Madridit.
“Mendoj se gjëja më e mirë rreth kësaj krize është se po bëhemi më të bashkuar dhe po kuptojmë rëndësinë e familjeve dhe partnerëve. Gjëja e keqe është se po kuptojmë se sa të cenueshëm jemi”, ka thënë Estela.
Si Iragartze, Estela ka vendosur të ndjekë familjen e saj në profesionin e zgjedhur.
“Babai im po ashtu është polic dhe gjithmonë e kam pasur atë shembull”, thotë futbollistja.
Të qenit në vijën e frontit përmban rrezik dhe mesfushorja e di shumë mirë këtë. Babai i saj kishte testuar pozitiv me koronavirusin e ri disa javë më parë.
“Ai u infektua, por është mirë tash. Ne po presim të testohemi, që të kthehem në punë. Mezi po pres të kthehem”, thotë ajo.
Megjithëkëtë, Estela nuk ka neglizhuar stërvitjet.
Ekipet e futbollisteve duhet të kenë trajnere, jo vetëm trajnerë
“Këto ditë jemi duke bërë stërvitje nëpërmjet video-konferencave”, thotë ajo. “Jemi si familje dhe më mungojnë, siç më mungon ndjenja që të futem në fushë të futbollit dhe të kem gjithë ato emocione”.
