Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistet evakuohen nga Afganistani

Futbollistet e Përfaqësueses së Afganistanit patën një “fitore të rëndësishme” të martën, pasi ishin në mesin e një grupi prej më shumë se 75 personash të evakuuar në një fluturim nga Kabuli.

Sindikata globale e lojtarëve të futbollit FIFPRO, falënderoi qeverinë australiane që bëri të mundur evakuimin e lojtareve, zyrtarëve të ekipit dhe anëtarëve të familjes, me punën e vazhdueshme për të ndihmuar që sa më shumë të largohen nga Afganistani.

“Këto femra të reja, si sportiste dhe aktiviste, kanë qenë në një pozitë rreziku dhe në emër të bashkëmoshatarëve të tyre në të gjithë botën falënderojmë bashkësinë ndërkombëtare për ndihmën e tyre”, tha sindikata në një deklaratë.

Skuadra afgane u krijua në vitin 2007 në një vend ku femrat që merreshin me sport shiheshin si një akt politik i sfidës kundër talebanëve. Lojtaret ishin këshilluar këtë muaj që të fshinin të gjitha postimet në mediat sociale dhe fotografitë e tyre me ekipin për të shmangur hakmarrjet që kur qeveria afgane e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara ra në duart te talebanëve.

“Ditët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht stresuese, por sot kemi arritur një fitore të rëndësishme”, tha ish-kapitenia e ekipit, Khalida Popal. Popal është në mesin e një ekipi avokatësh dhe këshilltarësh të FIFPRO që kanë punuar me autoritetet në gjashtë vende, përfshirë Australinë, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, për t’i futur futbollistet dhe familjet e tyre në listat e evakuimit dhe fluturimet drejt sigurisë.

“Femrat futbolliste kanë qenë të guximshme dhe të forta në një moment krize dhe ne shpresojmë se ato do të kenë një jetë më të mirë jashtë Afganistanit”, tha Popal.

Sekretari i përgjithshëm i FIFPRO, Jonas Baer-Hoffmann tha se evakuimet ishin “një proces tepër i komplikuar”. “Zemrat tona shkojnë për të gjithë të tjerët që mbeten të bllokuar në vend kundër vullnetit të tyre”, tha ai.

Artikuj të ngjashëm