Këta hapa nuk duhet të konsiderohen thjesht si akte bujare në përgjigje të vuajtjeve të tmerrshme. Bota duhet t'i ofrojë popullit të Afganistanit mbështetjen për të cilën ata kanë nevojë, sepse pasojat katastrofike të dështimit nuk do t'i vuajnë vetëm ata
Kanë kaluar më shumë se katër muaj që nga dalja dramatike e forcave amerikane dhe të tjera nga Afganistani. Me fluturime speciale, duke i zbutur rregullat e azilit e duke lëshuar fonde, vendet perëndimore transportuan disa mijëra afganë me fat në vendin e sigurt, teksa talebanët rimorën kontrollin e vendit. Mirëpo ata që kanë mbetur pas janë harruar nga pjesa tjetër e botës – pavarësisht nëse janë apo jo mbështetës talebanë.
Qeveritë e huaja kanë ngrirë transaksionet bankare ndërkombëtare dhe tregtinë me Afganistanin, kryesisht me urdhër të Shteteve të Bashkuara, duke imponuar një sërë rregullash kundër terrorizmit, të vendosura gjatë 20 vjetëve të fundit. Si rezultat, pagat e sektorit publik afgan kanë rënë përtokë dhe ekonomia është rënduar. Shumë projekte që ndihmonin në zhvillim, sado thelbësore të jenë, janë paralizuar ose anuluar.
Si rezultat, fillimi i dimrit të ashpër afgan ka sjellë rritje të çmimeve e ushqimet janë bërë gjithnjë e më të pakta. Shkollat, klinikat dhe spitalet në të gjithë vendin kanë pushuar së funksionuari. Pra, pikërisht kur populli afgan ka nevojë për më shumë ndihmë, atij po i mohohen edhe gjërat elementare. Është një çmim i lartë që duhet paguar për të qenë nën sundimin e talebanëve.
Punonjësit ndërkombëtarë të ndihmës humanitare dhe vetë komunitetet afgane po bëjnë çmos për të mbajtur ndihmat ushqimore në lëvizje, klinikat funksionale dhe shkollat e hapura për djemtë dhe vajzat. Ama, sfidat janë të mëdha. Afganët tani përballen me varfëri, madje edhe me uri, në shkallë dramatike.
Nëse status quoja vazhdon, pothuajse i gjithë vendi do të përballet me varfëri akute këtë vit. Deri në fund të këtij dimri, pothuajse i gjithë vendi – 97% e popullsisë – mund të jetë shumë i varfër për të mbijetuar pa ndihmë.
Pjesa tjetër e botës, dhe vendet e zhvilluara në veçanti, nuk duhet të mendojnë se thjesht mund të mbyllin derën dhe ta harrojnë këtë tragjedi në rritje. Hiç moralin thelbësor, paqëndrueshmëria që rezulton nga kolapsi i Afganistanit do të ndihet shumë përtej kufijve të vendit.
Prandaj lyp besimin se Kombet e Bashkuara dhe agjencitë ndërkombëtare të ndihmës po përpiqen të mbledhin fondet e nevojshme për të larguar Afganistanin nga zgripi. Sanksionet që synojnë udhëheqjen e talebanëve kanë pasur efektin e paqëllimshëm kundërproduktiv të pengimit të aftësisë së agjencive të ndihmës për të mbledhur dhe shpenzuar fonde – megjithëse tani ka shenja të mirëpritura lëvizjeje drejt heqjes së këtyre kufizimeve perverse.
Natyrisht, është e drejtë të ngrihemi për arsimimin e vajzave afgane. Mirëpo, siç ka theksuar kohët e fundit analistja afgane e Shkollës së Studimeve Orientale dhe Afrikane të Universitetit të Londrës, Orazala Nemat, nuk është e drejtë të ndalohet ndihma për shërbimet bazë – ushqimi, uji dhe kujdesi shëndetësor – që i mbajnë vajzat në jetë.
Pavarësisht nëse shikohet përmes syve afganë ose nga këndvështrimi i interesit vetjak të politikanëve perëndimorë, shkrirja aktuale është një makth. Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë. Janë tri masa në veçanti që mund të merren pa i shpërblyer talebanët.
Së pari, paratë duhet të vihen në dispozicion. OKB-ja do të kërkojë të mbledhë 4.5 miliardë dollarë në vitin 2022 për të ndihmuar më të rrezikuarit në Afganistan. Ky plan është një masë parandaluese për më shumë se 21 milionë njerëz që kanë nevojë për ushqim, strehim, ilaçe dhe mbrojtje. Komuniteti ndërkombëtar me siguri mund ta gjejë një shumë të tillë. Një konferencë premtuese në fillim të vitit do të ndihmojë për të përqendruar mendjet në këtë çështje.
Përveç kësaj, Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi kohët e fundit një rezolutë që përjashton aktivitetet humanitare nga regjimi i sanksioneve të vendosura ndaj disa anëtarëve talebanë. Masa u ofron institucioneve financiare dhe tregtare garanci ligjore se nuk do të shkelin sanksionet ekzistuese kur angazhohen me organizata humanitare. Qeveritë dhe institucionet financiare duhet të shfrytëzojnë sa më shumë këtë mundësi të re: nuk mund të ketë më justifikime.
Së dyti, duhet të ketë më shumë fleksibilitet në mënyrën se si mund të përdoret financimi i donatorëve. Për shembull, Banka Botërore mban 1.5 miliardë dollarë në mirëbesim për Afganistanin dhe së fundmi njoftoi një marrëveshje për të transferuar 280 milionë dollarë – disa në Fondin e OKB-së për Fëmijë (UNICEF) për të ofruar kujdes shëndetësor dhe disa në Programin Botëror të Ushqimit. I gjithë fondi tani duhet të riprogramohet për të ndihmuar popullin afgan këtë dimër.
Duhet të jetë gjithashtu e mundur të përdoren fondet e donatorëve për të paguar pagat e punonjësve të sektorit publik dhe për të ndihmuar institucionet afgane të ofrojnë shërbime bazë si kujdesi shëndetësor dhe arsimi, dhe kjo ende të mos shihet si shpërblim për talebanët. Një mbështetje e tillë për funksionet thelbësore shtetërore do t'u japë afganëve shpresë për të ardhmen dhe arsye për të qëndruar në vendin e tyre. Nga ana tjetër, zbrazja e shtetit është një recetë për vuajtje dhe paqëndrueshmëri.
Së treti, komuniteti ndërkombëtar duhet të bëhet më i zgjuar për mënyrën se si angazhohet me Afganistanin. Aktualisht, bota pret që talebanët të bëjnë përparim në norma të ndryshme ndërkombëtare, pa përcaktuar qartë se çfarë pret nga regjimi. Ndërkohë, talebanët ose nuk janë të prirë t'i përmbushin këto pritshmëri, ose janë të paqartë në lidhje me qëllimet e tyre.
Kjo qasje praktikisht siguron dështim. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë shumë më i vendosur dhe specifik në kërkesat e tij, si dhe shumë më i angazhuar. Kjo mund të përfshijë lehtësimin ose heqjen e disa sanksioneve ekonomike ose rikthimin gradualisht të ndihmës afatgjatë për zhvillim, në përgjigje të progresit në çështjet me interes ndërkombëtar – duke përfshirë të drejtat e grave dhe vajzave.
Këta hapa nuk duhet të konsiderohen thjesht si akte bujare në përgjigje të vuajtjeve të tmerrshme. Bota duhet t'i ofrojë popullit të Afganistanit mbështetjen për të cilën ata kanë nevojë, sepse pasojat katastrofike të dështimit nuk do t'i vuajnë vetëm ata.
(Gordon Brown, ish-kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, është i dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Arsimin Global dhe kryetar i Komisionit Ndërkombëtar për Financimin e Mundësisë së Arsimit Global. Martin Griffiths është koordinatori i Ndihmës Emergjente dhe nënsekretar i përgjithshëm i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)