Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbollistët e Zuerichut, Aliti e Kryeziu, të gatshëm për duelin vëllazëror

Është një lloj i veçantë i kulmit të karrierës për dyshen e skuadrës së Zuerichut, që i shtohet tashmë sezonit fantastik të ekipit në kampionat. Mbrojtësit e Zuerichut, Mirlind Kryeziu dhe Fidan Aliti, do të jenë pjesë e Përfaqësueses së Kosovës, e cila të martën mbrëma do të luajë ndeshje miqësore kundër Zvicrës. Në stadiumin “Letzigrund” tashmë janë shitur biletat për ndeshjen speciale të Alitit e Kryeziut. Ata do të luajnë për vendlindjen e prindërve të tyre kundër vendit ku janë lindur dhe rritur.

“Kur vendosa ta përfaqësoj Kosovën pas gjashtë vjetëve me gjeneratat e reja te Zvicrës, e dija se do të vijë një moment si ky. Pra, e kisha në mendje që një ditë do të luaj kundër Zvicrës dhe tani ka ardhur ky moment. Jam shumë i lumtur dhe me padurim po e pres ndeshjen, në të cilën do të ketë një atmosferë fantastike”, pranoi Kryeziu 25-vjeçar.

Edhe Aliti pajtohet me atë që thotë Kryeziu, duke shtuar se është gati për këtë “ndeshje vëllazërore” siç e quan ai.

“Është gjithashtu një sfidë e madhe sportive, sepse Zvicra ka shumë cilësi në ekip. Prej mesazheve të shumta që i kam marrë gjatë këtyre ditëve, e kam k uptuar se bëhet fjalë për një ndeshje të veçantë”, thotë Aliti. “Mund ta kisha mbushur një sektor të stadiumit vetëm me të afërmit që i kam, pasi kam marrë shumë kërkesa për bileta”.

Kjo miqësore që po konsiderohet si vëllazërore, tashmë e ka elektrizuar komunitetin kosovar që jeton dhe vepron në Zvicër. Krahas dyshes së Zuerichut, në ekipin e Kosovës ka edhe një numër lojtarësh që janë rritur në Zvicër: Betim Fazliji, Toni Domgjoni, Florent Hadërgjonaj e Arijanet Muriq. Rrëfimi fillon në vitet 1990. Si prindërit e Alitit, ashtu edhe ata të Kryeziut ikën nga Kosova për t’u zhvendosur në Zvicër në atë kohë, pa para dhe pa njohuri për gjuhën.

Edhe “Sa shumë Zvicër te Kosova” Futboll “Sa shumë Zvicër te Kosova”

“Kam respekt të madh për atë që prindërit ndërtuan atëherë”, thotë Aliti, i cili shpjegon se babai i tij u largua nga Kosova me dy vëllezër për shkak të vështirësive ekonomike.

E varfëria në Kosovë është ende e lartë, veçanërisht në zonat rurale të shtetit të ri ballkanik.

“Kur erdhën në Zvicër, u lejuan të jetonin me një grua të moshuar. Pa pagesë, në këmbim ata e ndihmonin gruan në familje përveç punës së tyre në kantier”, shpjegon Aliti.

Ai thekson se gjeneratat e ardhshme nuk duhet të harrojnë se Zvicra u dha emigrantëve mundësinë për të punuar dhe për t'u integruar në atë kohë. Por, shtëpia e prindërve mbetet në zemër. Qoftë vetëm për shkak të festave vjetore që i karakterizojnë të dy si fëmijë. Babai i Kryeziut vjen nga një fshat afër Prishtinës. Familja Aliti, nga ana tjetër, vjen nga një zonë në tokën serbe e populluar me shqiptarë të Kosovës. Kryeziu me të vërtetë lulëzon me kujtimet. Udhëtimi aventuresk ndalet në Mal të Zi apo Shqipëri buzë detit, dhe pastaj me fqinjët që i presin të ardhurit me shumë ushqime.

Image

“Ne edhe te Zuerichu kemi përfaqësim të kombeve të ndryshme në ekip, si nga Serbia, Kroacia, Spanja, Gjermania, Estonia apo Afrika. Pra, një përzierje të tillë e kemi edhe te Kosova, po mendoj të lojtarëve që janë lindur dhe rritur jashtë vendit dhe tani kanë vendosur ta përfaqësojnë”, shtoi Kryeziu.

Përderisa Kryeziu zbulon se flet shqip me prindërit e tij, ndërsa gjermanisht me motrat, Aliti thotë: Unë kryesisht mendoj gjermanisht. Por, në shtëpi flasim shqip sepse është e rëndësishme për nënën time. Nëse do të kem ndonjëherë fëmijë, ai do të rritet me këtë frymë”.

Që nga transferimi nga Suedia, Aliti ka jetuar sërish pranë shtëpisë së prindërve të tij, në Basel. Ai përshkruan se e sheh veten si tipik kosovar, veçanërisht në fushë.

Edhe 1000 birra për tifozët – dhurata e lamtumirës e Kryeziut Futboll 1000 birra për tifozët – dhurata e lamtumirës e Kryeziut

“Me shumë vullnet, shumë ambicie dhe shumë emocione”, shprehet ai.

Sipas Alitit, në Kosovë ka një eufori të madhe për kualifikimin e ekipit në Kampionatin Evropian përmes Ligës së Kombeve, të cilin thotë se të gjithë e ëndërrojnë. Mirëpo, kur ekipi pësoi disa humbje në kualifikimet e Botërorit – që kushtuan me largimin e Bernard Challandesit – kritikat ishin të mëdha. Kur flet për Challandesin, Aliti thotë se sa herë që kalonte nëpër hollin e hotelit ku ishte ekipi i vendosur, ai vetëm qeshte dhe tundte kokën.

“Ne kishim vizita të shumta familjare, pasi krenaria është e madhe. Njerëzit pothuajse ishin ulur njëri mbi tjetrin në çdo cep të divanit. Është e pamundur që hoteli në Kosovë të jetë i mbyllur hermetikisht kur tubohet ekipi. Thjesht e pamendueshme”, shton Aliti. “Ata mendojnë se do të ishte e vrazhdë nëse nuk vijnë të na vizitojnë”.

Edhe Kryeziu thotë se vizitat janë të shpeshta dhe tashmë është mësuar me to.

“Dikush nga familja të telefonon dhe të thotë se do të kalojnë aty pari për të takuar. Dhe, pastaj vijnë 20 veta, por të gjithë i përkasin familjes së ngushtë”, tha Kryeziu.

Të dy yjet e Zuerichut pajtohen që lidhja e ngushtë është një pikë qendrore në familjet kosovare. E të njëjtën lidhje, familjet kosovare e kanë edhe në Zvicër.

“Kur kemi vizitorë, para shtëpisë sonë ka një varg të tërë makinash. Fqinjët kanë një ose dy makina”, thotë Aliti.

Edhe Mbrojtësi i Kosovës largohet nga klubi ku u rrit Futboll Mbrojtësi i Kosovës largohet nga klubi ku u rrit

Ndërsa, Kryeziu shton: “Problemi është gatimi. Para çdo vizite, nëna ime e pyet veten se sa njerëz do të vijnë”.

Herë zviceranë, herë kosovarë – kufijtë janë të ndarë për lojtarët e Zuerichut. Mirëpo, të martën mbrëma përgjatë 90 minutave, Aliti e Kryeziu janë përcaktuar qartë – do të jenë tërësisht kosovarë.