Londër, dhjetor (The Guardian) – Është ëndrra e secilit futbollist të ri për ta bërë debutimin me ekipin e seniorëve, dhe përpara brohoritjeve të turmave në tribunat e mbushura të stadiumeve. Për shumë të rinj, kjo është bërë realitet këtë vit, por nuk është ashtu siç e kanë paramenduar. Ata e kanë filluar ndeshjen me vërshëllimën e bilbilit të arbitrit dhe e kanë përfunduar në heshtje. Madje, në heshtje e kanë festuar edhe golin nëse kanë arritur të shënojnë. E për gjithë këtë situatë të krijuar në botën e futbollit, fajin e ka përhapja e pandemisë COVID-19. Falë koronavirusit, stadiumet kanë mbetur të zbrazëta dhe ndeshjet po zhvillohen prapa dyerve të mbyllura. Tani, tribunat e stadiumeve kanë mbetur të shkreta, kurse fjala gjermane që e përshkruan këtë situatë në mënyrën më të mirë të mundshme është “Geisterspiele” që do të thotë “Stadiumet Fantazmë”.
“Është e frikshme”, thotë Josh Doig, duke iu referuar situatës aktuale në stadiume.
18-vjeçari, që luan në pozitën e mbrojtësit të krahut të majtë, e shënoi golin e parë në debutim me ekipin skocez në një miqësore të luajtur në stadiumin “Parkheah”, menjëherë pasi futbolli rifilloi në muajin korrik të këtij viti. Ai golin e realizoi pas vetëm 15 minutave lojë, por nuk arriti të festojë me tifozët, të cilët mungonin në tribuna dhe kjo e preku shumë Doigun.
“Doja të bëja një rrëshqitje në gjunjë te flamuri i kornerit, por nuk munda ta bëj, sepse askush nuk ishte në tribuna. Ishte goli im i parë dhe ndjeva një zbrazëti të madhe në vete për shkak se e kisha paramenduar krejtësisht ndryshe”, pranon Doig.
Situata e krijuar nga pandemia ka goditur edhe tifozët, për të cilët shkuarja në stadium konsiderohet si një ritual i shenjtë. Mbi të gjitha, vështirësi po kanë edhe trajnerët që nuk po mund të motivojnë futbollistët që zakonisht motivimin më të madh e marrin nga tribunat e stërmbushura. Megjithatë, më së vështiri po e kanë futbollistët e rinj sikurse Doig për shkak se sezonin e parë për ekipin e seniorëve po e zhvillojnë nëpër stadiume të zbrazëta.
Edhe
Tifozët e Rangersit pushtojnë fushën pas humbjes nga Celticu
Ankesat e trajnerëve
“Të jesh ulur në stadium pa tifozë është një katastrofë, sidomos për lojtarët e rinj që gjithmonë kanë ëndërruar të luajnë me ekipin e parë para tifozëve”, thotë George Cairns, kreu i të rinjve tek ekipi Hamilton Academical. “Edhe kur e dëgjon bilbilin e arbitrit, mendon në vete se a ka filluar ndeshja me të vërtetë?”.
Ndeshja e parë e këtij sezoni për Hamiltonin në kampionat ishte në stadiumin “Celtic Park”. Ceremonia për ta festuar titullin e kampionit të sezonit të shkuar që i takoi Celticut ishte e pazakontë. Garda e nderit, pozicionimi i trofeut në qendër të fushës dhe lëshimi i fishekzjarrëve nuk kënaqën futbollistët që ishin mësuar të festonin dhe këndonin me tifozët.
“Ishte e çuditshme të shihje Celticut duke e marrë trofeun në stadiumin e zbrazët”, thotë Cairns.
Atij i vjen keq shumë për lojtarët e rinj, të cilëve pandemia ua vodhi suksesin. Mbi të gjitha, ishte situatë e sikletshme edhe për familjet e tyre që nuk kanë munguar as në ditët me shi vetëm për t’i përkrahur ata nga tribunat.
“Kur këta djem të rinj bëjnë debutimin e tyre, ose shënojnë golin e tyre të parë me ekipin e seniorëve, ata menjëherë do të kërkojnë nënën, babanë, motrën, vëllain, gjyshen ose gjyshin në tribuna. Mirëpo, asnjëri prej tyre nuk ishte atje, me përjashtim të trajnerëve dhe lojtarëve. Në këtë mjedis, ata e kanë vështirë edhe të luajnë dhe të tregojnë potencialin e tyre”, shprehet Cairns.
Lojtarët e rinj kur debutojnë me ekipin e parë, kanë vetëm pak ndeshje në dispozicion për ta dëshmuar veten, kështu që prania e tifozëve në tribuna do t’i ndihmonte shumë ata. Mirëpo, motivimin po e kanë të vështirë ta gjejnë në këtë kohë pandemie. Në kohën kur ata promovohen në ekipin e parë, do të kenë shkatërruar pengesa të panumërta. Doig i kishte kaluar shtatë vjet në akademinë e Heartsit kur klubi i tha se do të duhej të gjente një ekip tjetër. Lëndimet mund të godasin gjithashtu fillimin e karrierës së tyre, por COVID-19 ka rritur stresin dhe zhgënjimin. Testimi i tyre dy herë në javë është më shumë një barrë sesa një privilegj.
“Të gjithë mendojnë se është mirë që po testohen, dhe sigurisht që është, por testet janë të pakëndshme, dhe pastaj ata kalojnë 24 orët e ardhshme duke u shqetësuar nëse janë negativë”, thotë Cairns.
Ata ndiejnë një ndjenjë përgjegjësie jo vetëm ndaj tyre dhe familjeve të tyre, por edhe ndaj shokëve të tyre të skuadrës.
Edhe
Ndeshja e parë e Championshipit nis me dhunë, të përfshirë bashkëlojtarë të Muriqit
“Dhe sigurisht, nëse ata janë pozitivë, atëherë duhet të izolohen për 14 ditë, pra nuk mund të stërviten për dy javë”.
Pandemia përfundimisht ka rritur stresin te të rinjtë dhe këtë e pranon edhe Kyle Munro. Munro, gjithashtu 18-vjeçar, është një yll në rritje te Hamiltoni dhe këtë edicion po luan me ekipin e parë. I kërkuar edhe nga Celticu, Munro vendosi të mos largohet nga Hamiltoni për t’u pjekur edhe më shumë.
Stresi, testet dhe izolimi
“Hamiltoni më ka ndihmuar që të rritem dhe për këtë arsye kam ndier përgjegjësi për të luajtur të paktën një edicion me ekipin e parë. Mirëpo, nuk e kam paramenduar se do të debutoj me ekipin e parë pikërisht në edicionin e kapluar nga pandemia. Natyrisht, që stresi është i madh sepse edhe nëse shënon gol nuk ke me kënd ta festosh në tribuna”, thotë sulmuesi Munro, i cili para dy vjetësh firmosi kontratën profesionale me Hamiltonin.
Në fakt, debutimi i Munros ishte përrallor. Ai debutoi në muajin shtator në ndeshjen kundër Livingstonit dhe shënoi golin e fitores për Hamiltonin. Mirëpo, ajo çfarë ndodhi pastaj i la shije të hidhur atij.
“Ishin masat ato që nuk lejuan bashkëlojtarët të më përqafojnë. Pra, golin tim të parë e festuam me distancën sociale në fushë”, thotë Munro, i cili dy ditë pas ndeshjes rezultoi pozitiv me koronavirus dhe u detyrua të izolohet komplet me familjen. “Ishte gol i hidhur, sepse dy ditë pas tij u detyrova të izolohem. Krahas shqetësimeve për familjen, ishte i stresuar dhe i frikësuar se do ta humbisja vendin në ekip”.
Sidoqoftë, për shumicën e lojtarëve të rinj, muajt që nga marsi kur shpërtheu pandemia kanë qenë të vështirë. Në pamundësi për t’u stërvitur me ekipin gjatë bllokimit, ata është dashur t’i gjenin mjetet dhe motivimin e duhur për ta mbajtur formën. Doig kishte stërvitur në garazhin e tij derisa Munro është munduar të bëjë improvizime në oborrin e shtëpisë. Connor Smith, 18-vjeçar, që është pjesë e Heartsit, ishte disi me fat për shkak se stërvitej së bashku më vëllain, Callumin, që aktivizohet te Hamiltoni.
“Ne e kishim edhe babanë, i cili ka luajtur futboll dhe na merrte në vrapim gjatë bllokimit”, tha ai.
Në klube, atmosfera është e zymtë. Munro dhe Doig janë ngritur lart, por ata nuk kanë qenë në gjendje të kalojnë shumë kohë për t’u njohur me lojtarët më të vjetër.
Edhe
Më i madh, më i mirë, më i popullarizuar – Evropiani i futbollisteve 2025 vendos rekorde
“Shpresoj që kjo situatë të tejkalohet më shpejt dhe gjërat t’i kthehen normalitetit. Dua që golat t’i festoj me tifozët”, porositi Munro.
{gallery}