Në ditën kur trupat ruse hynë në Ukrainë një muaj më parë, lojtaret e klubit të futbollit FC Kryvbas po shkonin në aeroport për një kamp stërvitor dhe për të luajtur ndeshje në Turqi. Atyre iu desh ta ndërprisnin udhëtimin, pasi sulmet me raketa ruse goditën qytetin e tyre të lindjes, Krivyi Rih. Lojtaret tani jetojnë dhe stërviten në Gjermani me mbështetjen e Koelnit, një klub futbolli me ekipe në garat e Bundesligës për meshkuj dhe femra. Futbollistet dhe stafi i Kryvbasit kanë arritur të qëndrojnë bashkë, por fokusimi në stërvitje nuk është aspak i lehtë.
“Jam shumë i lumtur që arritëm këtu me gjithë ekipin tonë, që arritëm ta mbanim ekipin. Por, sinqerisht, nuk mund të them se futbolli është një prioritet për mua tani”, tha mesfushorja Liubov Mozga. “Paqja në tokën tonë është një prioritet për mua tani”.
Kryvbasi kishte rezervuar një kamp stërvitor me dy ndeshje miqësore në qytetin turistik të Turqisë, Belek, duke filluar nga data 24 shkurt, dhe lojtaret mezi prisnin të takoheshin me shoqet e skuadrës që ishin larguar për shkak të detyrave me Përfaqësuesen e Ukrainës. Trajnerja e Kryvbasit, Alina Stetsenko, kishte në mendje modernizimin e stërvitjeve dhe rikuperimin e përgatitjes së lojtareve në këtë kamp stërvitor. Ajo shtoi se synonte t’i bënte edhe disa përforcime me lojtare të huaja për ta plotësuar ekipin e saj që ishte në procesin e rindërtimit. Këtë mendim Stetsenko e ndau në rrjetet sociale një ditë para nisjes për në Turqi. Futbollistet veçse ishin në autobus kur sulmet me raketa goditën qytetin. Ato u strehuan në një hotel dhe përfunduan duke qëndruar atje për dy javë. Lojtaret përfundimisht morën rrugën për në Gjermani me ndihmën e Artur Podkopayevit, një ish-lojtar që ishte i angazhuar për ekipet e të rinjve të meshkujve te Kryvbasi, por që jetonte në Koeln. Në fakt, ekipi i femrave kërkoi ndihmë nga ai dhe Podkopayev reagoi menjëherë. Tani lojtaret po qëndrojnë në një hotel në Koeln, i cili është shndërruar në strehimin e refugjatëve dhe ato janë në gjendje të përdorin ambientet moderne të qendrës stërvitore të klubit gjerman, i cili i ka mirëpritur. Kryvbas ishte i treti në ligën e Ukrainës kur filloi lufta dhe garat u pezulluan. Nuk është e qartë se kur mund të rifillojnë.
Kapitenia e Kryvbasit, Anna Ivanova, tha se nuk mund të përshtatet me jetën në Gjermani, ndërsa familja e saj mbetet në rrezik në shtëpi.
“Të jesh këtu në një vend të sigurt, ndërkohë që familja jote është nën granatime është shumë e vështirë”, tha Ivanova. “Ne jemi të shqetësuara për familjet tona. Ato janë në kontakte me ne, janë fshehur në strehimoret e bombardimeve. Fatkeqësisht ka raketa që fluturojnë, sirenat ndizen, kështu që netët e tyre nuk janë të qeta. Në të njëjtën mënyrë, netët tona nuk janë gjithashtu të qeta”.