Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Futbolli kosovar me Ligën U21 prej sezonit të ri

Prej sezonit 2023/24, garat do t’i nis edhe Liga U21, ndërsa pjesë e saj do të jetë ekipet e Superligës. Kështu ka njoftuar FFK-ja të hënën pas mbledhjes së fundit të Komitetit Ekzekutiv, i cili ka marrë vendim për organizimin e kësaj lige.

Në njoftim thuhet se qëllimi i kësaj lige është që futbollistëve të kësaj moshe, të cilët kanë vështirësi të gjejnë hapësirë në ekipin e parë, t’u jepet rasti të qëndrojnë të formë, të zhvillohen dhe përgatiten për të qenë pjesë e ekipit të parë.

Po ashtu, ekipeve të kësaj lige, do t’u mundësohet që të përfshijnë edhe dy futbollistë deri në moshën u23, të cilët për shkaqe të ndryshme nuk do të jenë pjesë e ekipit të parë. Po ashtu, të drejtë loje kanë edhe lojtarët më të rinjë se U21.

Kështu që, Liga U21 do të jetë obligative për të gjitha klubet e Superligës dhe do të filloj të zbatohet prej sezonit të ri. “Prandaj, FFK u kërkon klubeve që sa më herët të fillojnë përgatitjet për organizimin e ekipeve U21, ngase krijimi i kësaj lige edhe sipas ekspertëve të fushës vlerësohet shumë i rëndësishëm për progresin e mëtutjeshëm të cilësisë së Superligës dhe futbollit tonë në përgjithësi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FFK-së.