Krijimi i ekipeve me lojtarë nën moshën 21-vjeçare do të jetë obligativ për klubet e Superligës së Kosovës në futboll. Komiteti Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës të hënën ka marrë vendim që prej edicionit 2023/2024 të zhvillohen garat edhe në “Ligën U21”.
Zyrtarë të klubeve, trajnerë dhe njohës të futbollit e kanë mirëpritur formimin e Ligës për lojtarët nën 21 vjeç. Por, disa kanë dyshime nëse klubet do të jenë gati ta përballojnë këtë nga ana financiare.
Në njoftimin e FFK-së nuk janë bërë të ditura shumë detaje. Nuk është bërë e ditur nëse klubet do të kenë subvencionim apo lehtësim financiar. FFK-ja e ka bërë të qartë që formimi i ekipeve me lojtarë nën moshën 21-vjeçare do të jetë obligativ për klubet e Superligës.
“Prandaj FFK-ja u kërkon klubeve që sa më herët të fillojnë përgatitjet për organizimin e ekipeve U21, ngase krijimi i kësaj lige edhe sipas ekspertëve të fushës vlerësohet shumë i rëndësishëm për progresin e mëtutjeshëm të cilësisë së Superligës dhe futbollit tonë në përgjithësi”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Drejtori sportiv i Drenicës, Taulant Dajaku, e ka cilësuar të ngutshëm obligimin për të formuar ekipet e të rinjve. Ai pret që në ndihmë klubeve t’u dalë FFK-ja.
“Është shumë vendim i shpejtë dhe realisht nuk kemi financa tash për tash. Edhe niveli i organizimit është problematik. Sigurisht në aspektin sportiv do të ishte shumë interesant. Kemi edhe ligën e juniorëve ku mund t’i zhvillonim lojtarët, nëse veç duhet ta bëjmë një gjë të tillë”, ka thënë Dajaku.
Ai ka dhënë edhe një propozim.
“Do të ishte ndoshta në këtë fazë mirë që te juniorët të lejohej angazhimi i katër lojtarëve deri 23 vjeç. Do të ishte edhe në favor të lojtarëve juniorë sepse do të zhvilloheshin më shumë me lojtarët që do të angazhoheshin nga seniorët, por edhe niveli i garave do të bëhej shumë më interesant. Futja e obligimeve për U21 minimalisht merr 150 mijë euro, që këto para nëse do t’i investonim në infrastrukturë secili nga klubet avancohet dhe ecën shumë përpara. Është vendim i ngutshëm dhe i pamenduar mirë. Por, nëse FFK-ja do të na subvencionojë, atëherë jemi në një situatë tjetër”, është shprehur Dajaku.
Në fakt vitet e kaluara ishte prezantuar si ide formimi i ekipeve të dyta të klubeve elitare. Por, nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim. Është vlerësuar i nevojshëm formimi i një lige për lojtarët që e kalojnë moshën për të luajtur për juniorët. Shumë prej të rinjve largohen nga futbolli pasi nuk mund të luajnë më për juniorët dhe nuk kanë vend në ekipet seniore të klubeve të Superligës. Liga U21 do t’i sistemojë këta lojtarë.
Prandaj formimi i një lige në favor të lojtarëve të rinj shihet kryesisht pozitiv.
“Është në gjithë Evropën. Ka qenë edhe në ish-Jugosllavi. Në atë ligë do të kenë rastin të luajnë lojtarët e asaj moshe dhe një ose dy tjerë të moshës më të rritur që kthehen nga lëndimet dhe do t’u shërbej për të marrë formën e duhur. Do t’u shërbej shumë për të gjetur hapësirë, ndërsa sa i përket anës ekonomike, aty nuk mund të flas. Përpara ka qenë liga U23”, ka thënë trajneri i futbollit, Rafet Prekazi.
Në fakt shumë trajnerë nuk u kanë besuar dhe nuk u besojnë të rinjve. Këtë e ka parë edhe përzgjedhësi i U21 të Kosovës, Afrim Tovërlani.
Edhe Tovërlani përshëndet vendimin e KE të FFK-së. Por, edhe ai ka dyshime.
“Është mirë që është marrë vendim dhe shpresoj që klubet të mund të organizohen sepse nuk do të jetë e lehtë. Është vështirë të thuhet në këtë moment se sa do t’i shërbejë përfaqësueses, sepse ata që realisht janë futbollistë të dalluar luajnë në ekipet e para. Por, jam i sigurt që shumë futbollist të rinj do ta kenë mundësinë të dalin më shumë në sipërfaqe dhe do t’u shërbejë shumë për t’u pjekur si lojtar. Është vendim shumë i qëlluar i FFK-së. Klubet tek ne hezitojnë të kenë më shumë lojtarë të rinj. Shihni vitet e fundit transferimet që bëhen me lojtarë në moshë dhe penalizohen të rinjtë”, ka thënë Tovërlani.