Përfaqësuesja U17 e Kosovës në futboll ka barazuar në ndeshjen e parë miqësore kundër Bullgarisë.
Ndeshja e luajtur të mërkurën në Sofje, është mbyllur pa gola, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.
Kjo ishte ndeshja e parë për përzgjedhësin Arsim Abazi, i cili mori drejtimin e kësaj grupmoshe.
Pas ndeshjes, Abazi është ndarë i kënaqur me lojën që treguan të përzgjedhurit e tij.
“Të them të drejtën jam i befasuar me angazhimin e lojtarëve, duke e ditur se kjo miqësore me Bullgarinë erdhi shumë shpejt dhe kishim vetëm tri stërvitje të përbashkëta me djelmoshat. Ende lojtarët nuk e njohin mirë njëri-tjetrin dhe duhet edhe pak kohë për t’u komponuar, por jam shumë i kënaqur me përkushtimin dhe dëshirën e jashtëzakonshme të tyre për të mos e humbur këtë ndeshje. Tash e presim me entuziazëm edhe miqësoren e dytë kundër Bullgarisë. Për mua, por edhe për futbollistët, këto dy miqësore janë shumë të rëndësishme, ngase na jepet mundësia të shohim se ku jemi dhe çfarë të punojmë më shumë në të ardhmen. Gëzon fakti se shumica e futbollistëve ishin nga kampionati vendor dhe me mjaft sukses u përballën me bullgarët, duke e treguar potencialin e tyre. Gjithsesi, na mbetet ende shumë punë për të bërë, por për fillim jemi të gjithë të kënaqur. Rëndësi ka fakti që sot patëm paraqitje të mirë dhe ky rezultat u jep vullnet edhe më të madh lojtarëve për ndeshjen e ardhshme”, është shprehur Abazi.
Ndeshja e dytë miqësore ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, do të zhvillohet të premten prej orës 11:00, sipas kohës lokale në Sofje.