Përfaqësuesja U15 e Kosovës në futboll është mposhtur nga Bullgaria në ndeshjen e parë miqësore. Në duelin e luajtur të mërkurën në qendrën e Federatë së Futbollit të Bullgarisë në Bojana, vendasit shënuan fitore me rezultatin 2:0.
Në fakt, Bullgaria dy golat e ndeshjes i shënoi në pjesën e parë. Fillimisht, e zhbllokoi rezultatin në minutën e parë kur Dimitar Urumov shfrytëzoi gabimin e qendërmbrojtësit Erin Demolli për ta mposhtur portierin Ismail Hasimi.
Golin e dytë, i cili edhe e vulosi fitoren, Bullgaria e shënoi në minutën e 19-të. Iliyan Gatinski me një gjuajtje të fortë prej rreth 16-të metrave shënoi pasi përfitoi nga topi i dëbuar prej portierit Hasimi.
Në pjesën e dytë nuk u shënua asnjë gol, ndërsa të përzgjedhurit e selektorit Ilir Nallbani, të shtunën do ta zhvillojnë miqësoren e dytë kundër bullgarëve.