Sport

Ftesa për Rrudhanin, shpërblim për formën e mirë

Donat Rrudhani është prej pak emrave të rinj në listën e Përfaqësueses së Kosovës për katër ndeshjet e qershorit. Rrudhani në fakt ka debutuar një vit më parë në miqësore, por nuk ishte ftuar prej atëherë. Ai e ka mbyllur edicionin në kategorinë e dytë zvicerane dhe liga ku luan nuk është se e favorizon shumë në “garën” gjithnjë e më të fortë për vend në Përfaqësuesen e Kosovës në futboll.

Tashmë shumica e lojtarëve të Kosovës luajnë në liga elitare. Përjashtim bën vetëm edhe Florent Muslija, që luan për Paderbornin në Bundesliga 2. Në Bundesliga 2 të Gjermanisë ishte edhe Blendi Idrizi me Schalken, por klubi i njohur u kthye në elitën gjermane. Bundesliga 2, megjithatë, vlerësohet nivel shumë më i lartë se kategoria e dytë e Zvicrës. Andaj ftesa që mori nga Alain Giresse është sukses shumë i madh për Rrudhanin.

23-vjeçari është pjesë e skuadrës Aarau, që nuk ia doli të promovohej në elitën e Zvicrës. Aarau ishte i pari një xhiro para fundit dhe në pozitë ideale për promovim. Por humbi 2:1 në shtëpi nga Vaduzi, të shtunën, dhe mbeti pa elitë. Humbja i kushtoi Aaraut me rënie në pozitën e tretë. Pra, nuk do të luajë as në barazh. Në elitën e Zvicrës ka kaluar Winterthuri, ndërsa Schaffhauseni luan në barazh. Të tri skuadrat kanë përfunduar me nga 65 pikë, por Aarau kishte goldallim më të dobët.

Pas dëshpërimit që përjetoi në xhiron e fundit, Rrudhani mori vlerësimin me ftesën te Kosova. Ai është kapiten i skuadrës, ndonëse është vetëm 23-vjeçar.

“Pas paraqitjeve mjaft të mira, kam pasur ftesë se do të ftohem. Por nuk e kam besuar që do të më thërrasin”, ka thënë Rrudhani për KOHËN. Ai e di që nga kategoria e dytë helvetike nuk është e lehtë të sigurohet ftesë.

“Shpresoj që të përshtatem shumë shpejt te Kosova dhe të fitoj sa më shumë përvojë nga lojtarët që janë aty”, ka shtuar Rrudhani.

Ai ishte ftuar për miqësoret e qershorit të kaluar, me Guinenë dhe Gambinë. Kishte luajtur në të dyja, si startues. Por nuk u ftua më. Më herët ishte ftuar te U21 e Kosovës, por nuk kishte debutuar. Rrudhani luan në pozita të ndryshme në mesin e fushës.

Te Aarau ka shkëlqyer duke realizuar nëntë gola e 12 asistime në 34 paraqitje në Challenge League. Ka shënuar një gol në tri paraqitje për Kupë.

Rritja e tij në karrierë ishte graduale.

Nisi në edicionin 2017/18 në kategorinë e katërt zvicerane, te skuadra Timau Basel. Më pas luajti për Blakc Stars në kategorinë e tretë, në edicionin 2018/19. Me Aaraun në kategorinë e dytë helvetike ka kompletuar edicionin e tretë.

“Kam pasur paraqitje mjaft të mira në grumbullimin e kaluar me Kosovën. Besoj se kjo ka ndihmuar. Shpresoj që të më jepet rasti në këto katër ndeshje që na presin. Po ashtu, besoj që do të marrim vetëm fitore në ndeshjet që na presin”, ka theksuar Rrudhani.

Ai ka pasur bisedë me përzgjedhësin Giresse, por nuk ka dhënë detaje. Paraqitjet e Rrudhanit kanë rënë në sy të teknikut francez që i ka bërë vend në Përfaqësuese.

Rrudhani ka edhe një vit kontratë me Aaraun, por është i gatshëm për hapin e ardhshëm në karrierë.

“Jam i kënaqur me paraqitjet personale, por jo edhe aq me paraqitjet e ekipit, duke ditur që e kemi humbur Superligën në xhiron e fundit. Plani për të ardhmen është kalimi në ndonjë ekip të top-ligave evropiane. Me Aaraun patëm ecuri të mirë, por në fund nuk siguruam promovimin. Dëshpërimi ka qenë i madh, por kështu e ka futbolli. Jam krenar me ekipin dhe me punën që e kemi bërë. Por nganjëherë fati nuk është në anën tënde”, ka theksuar Donat Rrudhani.