Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Franca publikon listën, pjesë e saj janë tre emra të rinj

Didier Deschamps

Vëllezërit Khephren dhe Marcus Thuram kanë marrë thirrje nga përzgjedhësi i Francës, Didier Deschamps, të enjten, para ndeshjeve kualifikuese të Evropianit kundër Holandës dhe Irlandës. Ata janë djemtë e ish-mbrojtësit të Francës, Lilian Thuram, i cili luajti bashkë me Deschampsin kur Franca fitoi Botërorin e vitit 1998 dhe Evropianin e vitit 2000.

Është hera e dytë që Deschamps përzgjedhë vëllezër në skuadrën e tij, pasi Lucas dhe Theo Hernandez, luajtën për Francën në Kupën e Botës në Katar vitin e kaluar, bashkë me sulmuesin Marcus Thuram.

Thuram është vëllau i madh i mesfushorit 21-vjeçar Khephren, i cili po shkëlqen me skuadrën e Nicet në Francë këtë edicion. Franca luan kundër Holandës në “Stade de France” më 24 mars, ndërsa kundër Irlandës luan në Dublin tri ditë më vonë.

Franca humbi në finale të Botërorit në Katar nga Argjentina, pas ekzekutimit të penalltive. Portieri Hugo Lloris dhe qendërmbrojtësi Raphael Varane, fitues të Botërorit 2018, janë pensionuar nga përfaqëusesja franceze pas disfatës nga Argjentina.

Për herë të parë në listë janë ftuar portieri i Lensit, Brice Samba, dhe qendërmbrojtësi i Chelseat, Wesley Fofana. Kapiten i ri i skuadrës mund të bëhet Mbappe, pas largimit të Llorisit. Deschamps në konferencën për shtyp ka refuzuar t’i përgjigjet pyetjeve për fituesin e “Topit të Artë”, Karim Benzema, i cili nuk pritej të merrte thirrje pas përplasjes së fundit. Benzema u largua nga Botërori pas lëndimit në këmbë. Ai e quajti gënjeshtar Deschampsin në rrjetet sociale, pas një interviste që e dha përzgjedhësi francez.

“Nuk i shikoj rrjetet sociale”, tha Deschamps, i cili shtoi se nuk do të jap komente tjera për situatën me sulmuesin e Real Madridit