Sport

Franc Veliu, lojtari që u përball me Messin dhe mban emrin e një legjende

Nuk ka luajtur për asnjë klub të madh evropian, por ka pasur fatin të përballet me yjet e futbollit botëror, si Lionel Messi, Ronaldinho, Leite Kaka, David Beckham, Sergio Aguero, Andrea Pirlo e shumë të tjerë. Bëhet fjalë për futbollistin nga Vlora e Shqipërisë, Franc Veliu, i cili që nga vera e vitit të shkuar është futbollist i Gjilanit, ekip që garon në Superligën e Kosovës.

Duelet në fushë me lojtarët që kanë ndryshuar lojën e futbollit ia ka mundësuar fanella e Kombëtares së Shqipërisë. Më 20 qershor të vitit 2011, Shqipëria luajti miqësoren me Argjentinën, të cilën e humbi me shifrat 4:0. Titullar në këtë përballje ishte edhe Veliu, që ndoshta e kishte edhe punën më të vështirë në karrierë. Ai do të duhej të ndalte yllin e Argjentinës, Messi, i cili megjithatë realizoi një gol të bukur, pati paraqitje fantastike, duke dhuruar edhe dy asistime ndaj Shqipërisë. Veliu thotë se për të ishte kënaqësi të kishte duele me futbollistin më të mirë në botë. Yllin argjentinas e përshkruan si mbresëlënës dhe të jashtëzakonshëm.

“Po, është e vërtetë. Kam luajtur me një nga ekipet më të mira në botë dhe me lojtarin më të mirë në botë. Është privilegj për mua që isha pjesë e asaj ndeshjeje me yjet e futbollit botëror. Kënaqësia ishte e pafundme. Të luash përballë Messit është ëndrra e kujtdo dhe e kam shijuar pafund. Messi ishte mbresëlënës, kështu që të dyluftoja me të ishte kënaqësi dhe emocion. Padyshim, ajo ndeshje hyn tek një nga momentet më të mira të karrierës sime”, tha Veliu, që insiston se nuk kishte fare frikë që do të luante kundër Argjentinës dhe Messit. “Absolutisht nuk e kam marrë me frikë, por si një mundësi dhe privilegj që të jepet rrallë në jetë”.

Qendërmbrojtësi shqiptar nuk e pati fatin që në fund të ndeshjes të marrë fanellën nga Messi, i cili ia kishte premtuar dikujt tjetër më herët. Megjithatë, ai nuk u kthye duarbosh në Vlorë.

“Gjatë ndeshjes pata mundësinë t'ia kërkoja fanellën, por më tha që ia kishte premtuar Edmond Kapllanit para ndeshjes. Kështu që unë pata mundësinë të shkëmbeja fanellën me Esteban Cambiason”, shprehet qendërmbrojtësi 31-vjeçar.