Martin Fourcade ka fituar garën 15 kilometra me start në masë në biathlon për disa milimetra, mirëpo librat e historisë do të tregojnë se medalja e artë e fituar të dielën e ka bërë atë olimpistin dimëror më të madh francez, pavarësisht se sa e vështirë ishte fitorja.
Fitorja që u vendos pas foto-finishit kundër gjermanit Simon Schempp, e bëri atë sportistin e vetëm francez me katër medalje të arta olimpike, që nxiti edhe mesazhe urimi nga presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Po të mos kishte qenë një angazhim i fundit në një duel sprinti me gjermanin Schempp, atëherë Fourcade do të kishte përfunduar në anën humbëse, siç kishte përfunduar në situata të ngjashme në të kaluarën, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
“Unë mbylla sytë për sprint dhe i thash vetes, ‘Mos u pendo për asgjë’”, rrëfen francezi.
Katër vjet më parë Fourcade kishte qenë në një betejë të ngjashme në metrat e fundit me Emil Hegle Svendsenin dhe norvegjezi Svendsen atëbotë ngadhënjeu. Svendsen të dielën ishte i treti.
Mirëpo, Fourcade kësaj radhe nuk lejoi që në sprintin final të dështonte.
“Unë kam dhënë çdo gjë që kisha, por e dija se Simoni është një sprinter shumë i mirë dhe se sprinti final nuk është kualitet i imi. Gjatë gjithë atyre momenteve i thosha vetes edhe nëse humbas kundër një kampioni bote në start në masë nuk është një gjë e keqe”, ka deklaruar Fourcade.
Francezi 31-vjeçar tash ka katër medalje të arta dhe dy të argjendta olimpike, karshi disa titujve të botës që ka. Mirëpo, fitorja e së dielës do të mbetet një ndër më të ëmblat në karrierën e tij... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)