Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, pranon se kampioni bullgar, Ludogoretsi, është ekip bindshëm më i mirë. Për t’i bërë ballë gjigantit bullgar, trajneri Daja kërkon nga lojtarët e Ballkanit ta japin shpirtin në fushë.
Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, të martën nga ora 20:45 përballet në “Fadil Vokrri” me Ludogoretsin. Dueli i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“Duke pasur parasysh që për kundërshtar kemi Ludogortesin, atëherë do ta kemi të vështirë. Por, edhe në pjesëmarrjen e dytë në këto gara evropiane mendojmë ta bëjmë më të mirën. Kemi bërë një fazë të mirë përgatitore prej gati një muaji. Për ta bërë më të mirën dhe të prezantohen denjësisht, lojtarët duhet ta japin shpirtin në fushë. Duhet t’i marrim ndeshjet hap pas hapi ashtu siç kemi bërë sezonin e kaluar”, ka thënë Daja në konferencën për media, të hënën pasdite.
Ballkani për garat evropiane është përgatitur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Është përforcuar me disa lojtarë.
Trajneri tiranas insiston se Ballkani edhe në edicionin që hapet të martën, do të paraqitet me filozofinë e njëjtë të lojës si në edicionin e kaluar.
Ballkani pasi u eliminua në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve në edicionin e kaluar, vazhdoi me sukses rrugëtimin në Ligën e Konferencës. U bë skuadra e parë nga Kosova që siguroi pjesëmarrjen në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s.
“Do ta bëjmë të njëjtën lojë si në edicionin e kaluar. Jemi në të dyja fazat fleksibil, si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. Kemi mënyrën tonë për t’u përballur me kundërshtarin. Duhet ta respektojmë kundërshtarin, por fillimisht veten për shkak të potencialit që kemi. Nuk do të luajmë të përbuzur, por duke dhënë maksimumin në fushë. Peshën kryesore do ta mbaj grupi i edicionit të kaluar”, është shprehur Daja.
Ai thotë se ndeshjet ndaj skuadrave më të forta në disa raste janë pozitive. Thotë se lojtarët nuk kanë nevojë të motivohen për lojë, por të fokusohen vetëm në detyrat e tyre.
Daja ka thënë se vetëm Almir Kryeziu është në dyshim për ndeshjen ndaj kampionit bullgar.
Përkrah Dajës në konferencë ishte mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi. Thaqi ka thënë se do të jetë vështirë përsëritja e suksesit të edicionit të kaluar. Por ai thekson se Ballkani tashmë është i njohur nga të gjitha klubet në Evropë.
“Mendoj se ky vit do të jetë edhe më i vështirë. Këtë vit Ballkanin e shohin me një sy tjetër krahasuar me edicionin e kaluar ku pak na njihnin, por që arritëm të shkruajmë histori. E dinë arritjen e vitit të kaluar, ndonëse për ne do të jetë e vështirë ta përsërisim atë sukses duke ditur kundërshtarin e parë. Por uroj të kemi fat në rrugëtimin tonë që nis nesër”, ka thënë Thaqi.
Thaqi thotë se synimi i Ballkanit është ta kalojnë rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Për t’ia dalë, mbrojtësi i krahut pret mbështetje të madhe nga tribunat.
“Ndeshja nesër vlen për gjithë Kosovën. Kemi të veshur fanellën e Ballkanit, por do ta përfaqësojmë flamurin e Kosovës”, ka thënë Thaqi.
Pas konferencës të mbajtur në “Fadil Vokrri”, skuadra suharekase stërviti në Hajvali. Pra në ndeshje futet pa asnjë stërvitje në “Fadil Vokrri”. Vetëm të premten Ballkanit iu konfirmua se mund të luajë në stadiumin në Prishtinë.