Përfaqësuesja e Kosovës në futboll do të takohet me Spanjën në Prishtinë. Ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nis në orën 20:45. Do të jetë ballafaqimi i dytë i Kosovës me spanjollët, që të dyja në kuadër të kualifikimeve për Botërorin “Katari 2022”.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, ka vendosur të luajë me formacionin 4-4-2, sipas UEFA-s. Aro Muriq do të jetë në portë. Në mbrojtje, kapiteni Amir Rrahmani, Florent Hadërgjonaj, Mërgim Vojvoda, ndërsa në qendër të mbrojtjes nga fillimi do të jetë Betim Fazliji për herën e parë.
Në mesfushë, për herën e parë nga fillimi do të luajë edhe Florian Loshaj, në qendër bashkë me Ibrahim Dresheviqin. Elbasan Rashani dhe Zymer Bytyqi do të luajnë në krah, ndërsa në fazën e sulmit, Milot Rashica dhe Vedat Muriqi. Spanja do të luajë me formacionin 4-3-3. Unai Simon në portë, Reguilon, Laporte, Inigo Martinez dhe Marcos Llorente në mbrojtje. Në mesfushë, Koke, Sergio Busquets dhe Soler, ndërsa në sulm Fornals, Morata dhe Ferran Torres.
