Sport

Forma e mirë fizike e shpëtoi futbollistin nga sulmi me thikë

Forma e mirë fizike e ndihmoi futbollistin spanjoll Pablo Mari të shmangte lëndimet e rrezikshme për jetën në një sulm me thikë në një qendër tregtare italiane, tha të premten kirurgu që operoi shpinën e futbollistit të plagosur.

“Operimi ishte relativisht i thjeshtë. Fatmirësisht kishte vetëm dy muskuj të dëmtuar”, tha Osvaldo Chiara, drejtori i ekipit të kirurgjisë së përgjithshme dhe traumës në spitalin Niguarda në Milano. “Masa muskulore e lojtarit ishte e tillë që gjatësia e thikës që u përdor nuk mund të kalonte përmes kafazit të kraharorit dhe të godiste mushkëritë e tij”.

Monza, klubi i Serie A për të cilin spanjolli luan i huazuar nga Arsenali, tha se Mari duhet të kalojë edhe dy ose tri ditë të tjera duke u rikuperuar në spital. Klubi shtoi se Mari ka të ngjarë të ketë nevojë edhe për dy muaj pushim përpara se të rifillojë aktivitetin fizik. Drejtori i përgjithshëm i Monzas, Adriano Galliani, tha se mund të kalojnë tre muaj para se futbollisti të luajë përsëri. Galliani theksoi se skuadra ishte “në shok” dhe i kishte kërkuar ligës ta shtynte ndeshjen e radhës kundër Bolognas të hënën.

29-vjeçari Mari e quajti veten “me fat” që mbijetoi pas lëndimeve në shpinë dhe në gojë. Pesë persona u goditën me thikë të enjten dhe njëri prej tyre u vra, pasi një burrë rrëmbeu një thikë nga një raft supermarketi, thanë autoritetet italiane. Policia arrestoi një 46-vjeçar italian të dyshuar për sulmin në një qendër tregtare në Assago, në periferi të Milanos, thanë karabinierët.

“Ai më tha se kishte fat, sepse e ka parë dikë tjetër të vdiste në atë sulm”, tha Galliani pasi vizitoi lojtarin spanjoll në spital. “Ai kishte fëmijën në një karrocë dhe gruan e tij pranë. Mari u shpëtua ndoshta nga gjatësia e tij. Ai u godit në shpinë dhe më pas pa këtë goditje me thikë që dikujt i përfundoi në fyt”.

Massimo Tarantino, ish-futbollist i Napolit dhe Interit, ishte i përfshirë në ndalimin e sulmuesit.

“Ai thjesht po bërtiste”, u tha Tarantino gazetarëve. “Nuk bëra asgjë. Unë nuk jam hero”.

Galliani tha se Mari gjithashtu kishte lëndime në gojë, ndoshta nga kërcitja e dhëmbëve gjatë sulmit.

“Ai kishte dy qepje në buzë dhe lëndime në shpinë, të cilat për fat të mirë nuk prekën asnjë organ”, tha Galliani.

Gruaja e futbollistit të Monzas u mor në pyetje nga policia si dëshmitare e sulmit, shtoi Galliani. Mari, një qendërmbrojtës, ka luajtur në tetë nga 11 ndeshjet e Monzas në ligën italiane këtë sezon dhe shënoi golin e dytë në fitoren 2:0 ndaj Spezias këtë muaj. Ai e kaloi gjysmën e dytë të edicionit të kaluar në huazim tek Udinese, një tjetër klub italian. Monza, e cila është në pronësi të ish-kryeministrit italian Silvio Berlusconi, po luan sezonin debutues në divizionin e lartë të futbollit italian.

“Pablo është një djalosh i mrekullueshëm”, tha Galliani. “Ai kishte forcën të bënte shaka, duke më thënë se të hënën do të ishte në fushë. I dërgova atij urime nga presidenti Berlusconi dhe të gjithë shokët e tij të skuadrës”.

Një punonjës supermarketi vdiq gjatë rrugës për në spital, sipas agjencisë së lajmeve ANSA, e cila tha se tri viktima të tjera ishin në gjendje të rëndë. Një person tjetër u trajtua për tronditje, por nuk u shtrua në spital, tha policia.

Trajneri i Monzas, Raffaele Palladino, gjithashtu vizitoi Marin dhe Monza lëshoi një deklaratë në Twitter të premten duke shprehur ngushëllime për viktimën.

“E gjithë AC Monza ndan thellësisht dhimbjen e familjes për humbjen e Luis Fernando Ruggierit, viktimë e çmendurisë që ndodhi mbrëmë në Assago”, tha klubi. “Mendimet shkojnë në këto orë edhe te personat e tjerë të lënduar dhe familjet e tyre”.

Motivi i sulmit është i panjohur, por policia tha se burri shfaqte shenja të paqëndrueshmërisë psikologjike. Nuk kishte elemente që sugjeronin terrorizëm. Sulmi ndodhi pranë Forumit Assago, një arenë që është planifikuar të presë patinazhin artistik dhe patinazhin e shpejtë për Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”.