Kampioni i Kosovës në futboll, Feronikeli, ndeshjes së kthimit ndaj Slovanit do t'i qaset me të njëjtin karakter dhe disiplinë që e pati në ndeshjen e parë në Bratislavë, por do ta ketë kujdes më të madh si në sulm ashtu edhe në mbrojtje, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani në konferencën për shtyp, të hënën.
Ai ka thënë se Slovani mund të mposhtet vetëm nëse ekipi i tij vrapon e lufton më shumë në fushë dhe ka dëshirë më të madhe për fitore. Feronikeli në ndeshjen e parë pësoi humbje 2:1 me golat që Slovani i shënoi nga gjuajtja e lirë dhe penalltia. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet të martën (sot) prej orës 18:00 në stadiumin "Fadil Vokrri" në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
"Disiplina, taktika është shumë e rëndësishme apo më mirë të them çelësi i kësaj ndeshjeje. Duhet të jemi më këmbëngulës, por të luajmë me mend si në sulm ashtu edhe në mbrojtje. E kemi parasysh se Slovani armën më të fortë e ka kundërsulmin, kështu që duhet të jemi më të kujdesshëm", ka thënë Ramadani. "Pres që ekipi të paraqitet me karakter dhe disiplinë të njëjtë si në ndeshjen e parë. Por për ta mposhtur kundërshtarin duhet të vrapojmë, luftojmë dhe ta dëshirojmë më shumë fitoren".
Ramadani e ka parasysh që Feronikeli është në disavantazh dhe i duhet patjetër të shënojë gol. Por, sipas tij, Feronikeli njëherë duhet të mbrohet dhe më pas të kërkojë golin që mund të jetë vendimtar. Ramadani ka paralajmëruar se Slovani është kundërshtar shumë i fortë dhe se ekipi i tij nuk do ta ketë lehtë, ndoshta më vështirë sesa në ndeshjen e parë.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)