Skuadra e Lillet fitoi 3:0 ndaj Le Havres në xhiron e 22-të të Ligue 1 të Francës në fundjavë.
Të tria golat i shënoi sulmuesi Jonathan David, ndërsa mungoi kontributi i Edon Zhegrovës.
Sulmuesi i krahut u inkuadrua nga banka rezervë në minutën e 66-të.
Futbollisti i Kosovës, 24-vjeçari Zhegorva, ka qenë një prej lojtarëve më në formë te skuadra franceze në edicionin aktual me tetë gola e nëntë asistime në 32 paraqitje në të gjitha garat.
Megjithatë, trajneri Paulo Fonseca zbuloi arsyen pse ai u la në bankën rezervë, marrë parasysh formën në të cilën po kalon.
“Nuk ka qenë ndëshkim për Zhegrovën, por ka qenë thjeshtë një zgjedhje taktike. Unë gjithmonë shoh mundësitë më të mira për ekipin. E vlerësoj punën e të gjithëve përgjatë tërë javës dhe i zgjedh lojtarët për të cilët, mendoj se janë më të mirët për atë ndeshje”, ka deklaruar Fonseca në konferencën për shtyp të enjten.
Pas inkuadrimit, Zhegrova kompletoi vetëm tri driblime nga tetë gjithsej për 25 minuta lojë. Paraqitja e tij nuk është vlerësuar pozitive.
“Mendoj se 20-të minutat e fundit nuk ishin të mira. Kemi mundur të bënim më shumë. Ky është mesazh për disa lojtarë, sepse pas golit të tretë duhej të vazhdonim njësoj. Por, disa lojtarë u relaksuan. Disa menduan se ndeshja përfundoi dhe se duhej të shkëlqenin në aspektin individual, të bëhen yje. Nuk më pëlqen të shoh sjellje të tillë te lojtarët e mi”, ka shtuar Fonseca.
Lille ndeshjen e radhës e luan të dielën në udhëtim te Toulouse.
Aktualisht, Lille në pozitën e katërt dhe Monaco në vendin e pestë kanë nga 38 pikë, një më pak se Nice i vendit të tretë, dhe dy më pak se Bresti i vendit të dytë.
Paris Saint-Germaini është lider i Ligue 1 të Francës me 53 pikë.