Me vendet e siguruara në Botërorin “Katari 2022”, Brazili dhe Argjentina duket se do të testojnë në kualifikimet e CONMEBOL-it, lojtarë të cilët janë të dashur nga tifozët, ndërsa përpiqen të dëshmojnë veten në përfaqësuese. Vinicius Junior nuk ka shënuar në nëntë paraqitjet e tij të para për Brazilin dhe Paulo Dybala ka dy gola në 31 ndeshje për Argjentinën. Vinicius pritet të zëvendësojë Neymarin te Brazili kundër Ekuadorit dhe Dybala ka të ngjarë të dalë në fushë në vend të Lionel Messit kundër Kilit. Katër përfaqësuese të Amerikës së Jugut kualifikohen për turneun e kësaj vjeshte në Katar dhe vendi i pestë luan në plejof ndaj një kundërshtari aziatik, duke lënë dy vende për kualifikim ende në garë. Vetëm Venezuela e vendit të fundit, me shtatë pikë, është jashtë konkurrencës.
Brazili kryeson grupin me 35 pikë, i ndjekur nga Argjentina (29), Ekuadori (23), Kolumbia, Peruja (17), Kili, Uruguai (16) dhe Bolivia (15). Secili prej pretendentëve kanë nga katër ndeshje të mbetura. Forma e mirë e Viniciusit në Real Madrid ka tërhequr kritika në shtëpi për përzgjedhësin e Brazilit, Tite, i akuzuar se nuk i ka dhënë kohë të mjaftueshme 21-vjeçarit për të treguar aftësitë e tij. Tite thotë se anësori kërkon durim. Bazuar në seancën stërvitore të së martës, Vinicius duket se do të jetë titullar për ndeshjen ndaj Ekuadorit, që luhet të enjten prej orës 22:00. Mesfushori Casemiro, i cili luan me Viniciusin në Madrid, është dakord me shefin e tij te Brazili për të mos nxituar të riun.
“Ai ka qenë i jashtëzakonshëm, e shoh çdo ditë. E pashë të rritej në klub”, tha Casemiro. “Me Brazilin, ka një stil tjetër loje dhe i duhet një periudhë tjetër për t'u përshtatur. Konkurrenca është e fortë. Sa më shpejt të përshtatet, aq më mirë. Por nuk mund të harrojmë se ai është vetëm 21 vjeç”.
Ekuadori, i drejtuar nga trajneri argjentinas Gustavo Alfaro, duhet të sigurojë katër pikë nga ndeshjet e mbetura për t’u kualifikuar në Botërorin e këtij viti. Nën drejtimin e trajnerit Lionel Scaloni, Argjentina fitoi Kupën e Amerikës vitin e kaluar. Pas formës së mirë te Juventus, 28-vjeçari Dybala pritet të zëvendësojë Messin në një ndeshje të luajtur në gati 2400 metra lartësi mbidetare në Calama, në shkretëtirën Atacama të Kilit verior. Dybala gjithashtu ishte titullar te Argjentina në fitoren 1:0 në ndeshjen kualifikuese të nëntorit ndaj Uruguait, kur Messi po shërohej nga një dëmtim në gju dhe u fut në pjesën e dytë. Pavarësisht kualifikimit të hershëm të Argjentinës në Kupën e Botës, portieri Emiliano Martinez tha se ai dhe shokët e tij të skuadrës “janë ende të uritur” dhe “jo të qetë”.
“Ne duam të vazhdojmë të bashkohemi si ekip dhe si grup. Duhet të japim maksimumin për të qenë në listën përfundimtare për Kampionatin Botëror”, tha ai. “Ne do të përpiqemi të fitojmë çdo ndeshje ose t'i luajmë ato sikur të ishin të fundit. Njerëzit duhet të shohin versionin më të mirë prej nesh në këtë vit të Kupës së Botës dhe ne duam ta arrijmë këtë objektiv”.
Messi do t'i mungojë Argjentinës në këto lojëra, ndërsa po e rifiton gjendjen fizike te Paris Saint-Germaini pas një testi pozitiv për COVID-19 muajin e kaluar.
“Ne nuk e kemi Arturo Vidalin dhe duhet të fitojmë. Nëse kundërshtari ynë nuk e ka Messin, ne duhet t'i mundim edhe ata”, tha trajneri i Kilit, Martin Lasarte, për duelin e së premtes.
Uruguait, që zë vendin e shtatë në grup, do t'i duhet një fitore në udhëtim te Paraguai, i parafundit të enjten, për t'u ngjitur përsëri në një pozicion kualifikues dhe për të filluar fuqishëm nën drejtimin e trajnerit të ri Diego Alonso, i cili mori drejtimin e ekipit pas shkarkimit të Oscar Tabarezit. Kolumbia e vendit të katërt do të luajë në shtëpi me Perunë që zë vendin e pestë, kurse Bolivia do të përballet në udhëtim me Venezuelën.